Ish-kryebashkiakja e komanduar e Tropojës merret e pandehur nga SPAK, akuzohet për ndërtimin e një ure

Aktualitet | 1 vit më parë

Ish-kryetarja e komanduar e Tropojës merret e pandehur nga SPAK, ndërtoi urë për familjarët me fondet e bashkisë.

Ish-kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj, është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Bashkë me të akuzohet edhe ndërtuesi Rrok Gega.

SPAK ka hapur hetim pas ndërtimit të një ure në fshatin Luzhë, që sipas akuzës është ngritur me fondet e bashkisë për interesa personalë të Islamajt, duke favorizuar familjarët e saj. Tenderin për këtë projekt e ka fituar kompania e ndërtuesit Gega.

Rasti u denoncua fillimisht nga Partia Demokratike në dhjetor të vitit 2024.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, akuzoi Islamajn se i kishte kërkuar kontraktorit të ndërtonte një urë të personalizuar pranë banesës së motrës së saj.

Zyra Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator të vitit 2024, pas arrestimit të kryebashkiakut Rexhë Byberi. Ky i fundit akuzohet për shpërdorim detyre, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 2,7 miliardë lekësh të vjetra.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme