Ish-ministri i Jashtëm i Egjiptit: Armëpushimi në Gazë, i mangët

Botë | 2 vite më parë

Ish-ministri i Jashtëm i Egjiptit ka deklaruar se armëpushimi në Gazë pas 15 muajsh lufte shkatërruese midis Izraelit dhe Hamasit ishte imperativ, por i mangët.

Armëpushimi i brishtë midis Izraelit dhe Hamasit u ndërmjetësua në fillim të këtij muaji, kohë në të cilën ofensiva ushtarake e Izraelit kundër Hamasit vrau afro 47 mijë palestinezë, megjithëse numri i të vdekurve në Gazë që atëherë ka kaluar 47,350.

Izraeli filloi sulmin e tij pas bastisjeve të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilat u vranë rreth 1200 njerëz dhe 250 u morën peng.

“Ishte një marrëveshje e nevojshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët”, tha Fahmy, i cili foli për ‘The National’ në konferencën e Lindjes së Mesme Raisina në Abu Dhabi.

“Mendoj se marrëveshja do të vijojë, por nuk mendoj se do të zbatohet në mënyrë të drejtë, efikase dhe plotësisht”, tha më tej ai.

Armëpushimi kompleks, shumëfazor, i ndihmuar nga SHBA, Egjipti dhe Katari, ka lejuar shkëmbimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe palestinezët e burgosur nga Izraeli, dërgimin e ndihmave humanitare dëshpërimisht të nevojshme në Gaza dhe kthimin në shtëpi të banorëve të Gazës të zhvendosur nga veriu.

Pavarësisht pauzës, situata mbetet e pasigurt, ku secila palë akuzon tjetrën për shkelje të kushteve të armëpushimit.

“Bilanci i fuqisë në terren është i pabarabartë. Negociatat gjithmonë anojnë drejt më të fortit dhe unë nuk shoh që qeveria aktuale izraelite të njohë të drejtat palestineze, e lëre më të mbështesë një zgjidhje me dy shtete”, tha Fahmy.

Rikthimi i Donald Trump si president i SHBA-së shihet gjithashtu si një faktor favorizues për Izraelin. Pas inaugurimit të tij javën e kaluar, Trump anuloi sanksionet e vendosura nga administrata e mëparshme Biden ndaj grupeve dhe individëve të kolonëve izraelitë të ekstremit të djathtë të akuzuar për dhunë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ai i bëri thirrje që Egjipti dhe Jordania të pranojnë palestinezë që pritet të zhvendosenj nga Gaza.

“Jordania dhe Egjipti kanë mbështetur gjithmonë një shtet palestinez. Kjo do të thotë se ata nuk do të përfshihen në mënyrë implicite në asnjë proces që synon ‘de-palestinizimin’ e territoreve palestineze”, ” u shpreh  Fahmy.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme