Islamabad, nis ruandi i dytë i bisedimeve mes Iranit dhe SHBA-së

Botë | 7 muaj më parë

Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë mbledhur përsëri për raundin e dytë të bisedimeve direkte në Islamabad, pas një pauze të shkurtër.

Agjencia Associated Press citon dy zyrtarë pakistanezë sipas të cilëve, të dyja palët janë shoqëruar nga ekspertë teknikë, ndërsa bisedimet po zhvillohen nën ndërmjetësimin aktiv të Pakistanit.

Zyrtarët pakistanezë, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin me median, thanë se udhëheqja e lartë politike dhe ushtarake e Pakistanit po inkurajon fuqishëm të dyja palët që të kapërcejnë dallimet e tyre dhe të arrijnë një zgjidhje që siguron paqe të qëndrueshme në rajon.

“Shpresojmë për një zgjidhje win-win (fitore për të dyja palët). Bisedimet po përparojnë,” thanë ata, pa dhënë detaje të mëtejshme teknike për përmbajtjen e diskutimeve.

Bisedimet janë pjesë e një procesi diplomatik intensiv që synon të kthejë një armëpushim të brishtë dyjavor në një paqe të qëndrueshme, pas një lufte gjashtëjavore midis SHBA-së dhe Iranit që ka shkaktuar mijëra viktima, ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe ka rrezikuar stabilitetin e Lindjes së Mesme.

Delegacioni amerikan udhëhiqet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i shoqëruar nga i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.

Delegacioni iranian udhëhiqet nga kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, bashkë me ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe zyrtarë të tjerë të lartë politikë, ushtarakë dhe ekonomikë.

Pakistani po luan rol kyç si ndërmjetës, ku kryeministri Shehbaz Sharif, shefi i Shtabit të Ushtrisë Field Marshal Asim Munir dhe ministri i Jashtëm Mohammad Ishaq Dar kanë zhvilluar takime të veçanta me të dyja palët gjatë ditës.

Kryeministri Sharif e ka quajtur këtë moment vendimtar për paqen rajonale.

Bisedimet po zhvillohen në hotelin luksoz Serena në Islamabad, i cili është vendosur nën masa të rrepta sigurie.

Qyteti është në gjendje të lartë alarmi, me rrugë të mbyllura dhe masa të jashtëzakonshme sigurie.

Çështjet kryesore që po diskutohen në tryezë janë konsolidimi i armëpushimit të brishtë; Çështja e Ngushticës së Hormuzit (kontrolli dhe lundrimi i lirë); Lehtësimi i sanksioneve ndaj Iranit; Situata në Liban dhe reduktimi i sulmeve izraelite ndaj Hezbollahut (kusht i ngritur nga Teherani); Çështje teknike bërthamore dhe sigurie rajonale.

Irani ka insistuar se bisedimet nuk do të fillonin pa plotësimin e disa parakushteve, ndërsa SHBA-ja ka shprehur optimizëm të kujdesshëm.

Presidenti Trump ka deklaruar se është “shumë optimist” për një marrëveshje, ndërsa zyrtarët pakistanezë theksojnë se qëllimi është modest por realist: të paktën të sigurohet vazhdimi i dialogut dhe shmangia e rikthimit të konfliktit.

Ky është niveli më i lartë i takimeve ballë për ballë midis SHBA-së dhe Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme