Italia drejt energjisë bërthamore, Dhoma e Deputetëve miraton ligjin, reaktorët e parë gati në vitet 2034-2035

Botë | 5 muaj më parë

Italia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të energjisë bërthamore. Dhoma e Deputetëve miratoi ligjin kuadër që i hap rrugën qeverisë të hartojë rregullat për prodhimin e energjisë bërthamore, kërkimin shkencor dhe menaxhimin e mbetjeve radioaktive.

Projektligji mori 155 vota pro dhe 86 kundër, ndërsa tashmë pritet shqyrtimi dhe miratimi përfundimtar në Senat.

Pas kalimit në të dyja dhomat e Parlamentit, qeveria do të ketë kompetenca më të gjera për zhvillimin e sektorit bërthamor civil. Ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, deklaroi se dekretet zbatuese të kësaj kornize ligjore pritet të jenë gati deri në fund të vitit.

Sipas tij, reaktorët e parë funksionalë në Itali mund të nisin punën gjatë viteve 2034 dhe 2035. Ai theksoi se qëllimi është garantimi i sigurisë energjetike të vendit për dekadat e ardhshme.

Ministri sqaroi se projektligji lidhet vetëm me përdorimin civil të energjisë bërthamore dhe jo me qëllime ushtarake.

Sipas tij, kërkesa për energji do të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme për shkak të zhvillimit të industrisë dhe qendrave të të dhënave.

Për këtë arsye, Italia synon të kombinojë energjinë bërthamore me burimet e rinovueshme dhe hidrogjenin për të përballuar nevojat e ardhshme energjetike

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme