Italia jep “dritën jeshile” për ndërtimin e urës që do lidhë Sicilinë me kontinentin

Botë | 1 vit më parë

Qeveria italiane ka dhënë miratimin për ndërtimin e një prej projekteve më ambicioze infrastrukturore në historinë e vendit: urën që do të lidhë ishullin e Sicilisë me territorin kontinental të Italisë, përmes Ngushticës së Mesinës.

Struktura prej 3.7 kilometrash pritet të thyejë rekordin që aktualisht mbahet nga Ura e Çanakalasë e Turqisë mbi Dardanele. Projekti i ndërtimit të një ure të tillë ka qenë në diskutim të paktën që nga fundi i viteve 1960 si një mjet për të zhvilluar jugun e Italisë.

Komiteti Ndërministror për Planifikim Ekonomik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (CIPESS) i dha “dritën jeshile” projektit gjatë një takimi në Romë, duke i hapur rrugën fillimit të punimeve të ndërtimit. Qeveria ka akorduar 13.5 miliardë euro gjatë 10 viteve të ardhshme për ta ndërtuar urën dhe objektet përreth.

“Nuk është një detyrë e lehtë, por ne e konsiderojmë atë një investim në të tashmen dhe të ardhmen e Italisë, dhe na pëlqejnë sfidat e vështira kur ato kanë kuptim”, tha Meloni.

Ura duhet të jetë gati në vitin 2032 dhe do të mundësojë lidhje të drejtpërdrejtë rrugore dhe hekurudhore, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe duke përmirësuar lidhjet tregtare dhe turistike midis veriut dhe jugut të Italisë.

Megjithatë, projekti është përballur me kundërshtime të forta. Kritikët vënë në pikëpyetje ndërtimin e një ure kaq të madhe në një zonë tërmetesh, si dhe rrezikun e mbikostove, dëmeve mjedisore dhe infiltrimit të mafias në kontratat e ndërtimit.

Ndërsa një pjesë e shoqërisë civile e sheh urën si të panevojshme dhe të rrezikshme, shumë të tjerë e konsiderojnë atë një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin ekonomik të Sicilisë, e cila ka një popullsi prej mbi 4.7 milionë banorësh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme