Izrael, Gantz bën thirrje për bisedime me palestinezët

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz ka ftuar palestinezët në tryezën e bisedimeve, ndërsa tha se do të ndihmojnë ata në luftën kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Gantz në video-mesazhin e tij në llogarinë e rrjetit social të Njësisë së Koordinimit të Aktiviteteve Qeveritare në Territoret Palestineze pranë Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, shprehu kënaqësinë për rifillimin e marrëdhënieve mes palestinezëve dhe Izraelit.
“Lindja e Mesme po ndryshon. Është në interesin tuaj të integroheni, të ktheheni në tryezën e bisedimeve dhe të krijoni shpresë për të ardhmen e brezave të ardhshëm”, theksoi Gants në mesazhin me titra në gjuhën arabe, duke iu referuar marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve që Izraeli ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.
Gantz tha se ka urdhëruar organizatat izraelite të mbrojtjes që në bashkëpunim me ministritë tjera t’i sigurojnë ndihmat e nevojshme për të mbështetur luftën e Palestinës kundër COVID-19 dhe shtoi se do të punojnë në koordinim për sigurimin e qasjes së palestinezëve në vaksinë.
Administrata palestineze më 17 nëntor njoftoi se sërish do të fillojë bashkëpunimin e sigurisë me Izraelin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



