Izraeli konfirmon vrasjen e 4 pengjeve, Ushtria tha se trupat e tyre mbahen ende nga Hamasi

Botë | 2 vite më parë

Ushtria izraelite konfirmon vdekjen e katër personave të tjerë të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor.

“Bazuar në informacionet e fundit të verifikuara nga inteligjenca izraelite, konfirmohet vdekja e 4 pengjeve. Ata u vranë disa muaj më parë gjatë një operacioni izraelit në Han Jounis dhe trupat e tyre mbahen ende nga organizata terroriste Hamas” – njoftoi zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari pa dhënë detaje të mëtejshme.

Duke identifikuar viktimet si Nadav Popliuell, Haim Peri, Joram Metzgar dhe Emirem Kuperm, Hagari tha se ishin njoftuar edhe familjarët e tyre.

Ndërkohëm, muajin e kaluar, Hamasi pretendoi se pengu 51-vjeçar kishte humbur jetën në një sulm izraelit në prill.

Dhjetorin e kaluar, grupi militant palestinez publikoi një video që tregonte tre pengjet e moshuar. Në një deklaratë Forumi i Familjeve  të Pengjeve tha se lajmi për vdekjen e pengjeve duhet të çojë çdo udhëheqës drejt reflektimit të thellë.

Prej kohësh ata organizojnë protesta masive duke i kërkuar kryeministrit Netanjahu të arrijë një marrëveshje armëpushimi, por aleatët e koalicionit të ekstremit të djathtë po kërcënojnë të rrëzojnë qeverinë nëse ai pajtohet me propozimin e bërë nga presidenti amerikan, që siguron edhe lirimin e pengjeve.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB të miratojë një rezolutë që mbështet propozimin e paraqitur nga Bajden (Biden) për t’i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në  Gaza.  Për miratimin e rezolutës duhen të paktën 9 vota pro dhe asnjë veto nga SHBA, Franca, Britania, Kina apo Rusia.

Propozimi amerikan i bën thirrje Hamasit të pranojë plotësisht marrëveshjen dhe të zbatojë parashikimet e saj pa vonesë dhe kushtëzime të mëtejshme.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme