Java Globale e Veprimit për Sigurinë Rrugore, ndërgjegjësim të qytetarëve për uljen e fataliteteve në rrugë

Sociale | 1 vit më parë

Java Globale e Veprimit për Sigurinë Rrugore, e cila zhvillohet nga data 21 deri më 27 maj, është një nismë ndërkombëtare e organizuar nga OKB dhe OBSH, që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ulë numrin e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugë. Kjo javë shërben si një platformë për komunitetet, qeveritë dhe organizatat që të bashkëpunojnë për rrugë më të sigurta.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, specialistja e DPSHTRR-së, Ina Habilaj, theksoi rëndësinë e edukimit dhe veprimit të përbashkët për sigurinë rrugore.

Kjo javë do të jetë e mbushur me aktivitet lidhur me ndërgjegjësimin e sigurisë rrugore, ku sipas specialistes Habilaj fokusi fillon që nga fëmijët e vegjël deri tek të rinjtë dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale.

“Java globale e veprimit për sigurinë rrugore është një nisëm periodike ndërkombëtare që organizohet nga OKB dhe OBSH për të ndërgjegjësuar dhe edukuar nga veprimi në fakte, të kemi një ndërgjegjësim tonin për të zbatuar rregullat e sigurisë rrugore për të shmangur aksidentet dhe fatalitetet. Gjithashtu kemi aktivitete për të sensibilizuar sa më shumë qytetarët. Këto fushata sensibilizuese janë shumë ndihmuese për të ndërgjegjësuar qytetarët. Ke kemi edhe figura publike që i cilësojmë edhe si “ambasadorë të sigurisë rrugore” që përcjellin mesazhe për rregullat bazë si vendosja e rripit të sigurimit, apo mospërdorimi i telefonit gjatë drejtimit të makinës”, tha ajo.

Lidhur me aksidentet që ndodhin në vendin tonë, Habilaj tha se kjo ndodh më së shumti për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe mosrespektimi i rregullave nga qytetarët. Habilaj u shpreh se DPSHTRR në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka ndërmarrë projekte sensibilizuese në shkolla, ku nxënësit mësojnë rregullat bazë të qarkullimit në mënyrë argëtuese.

“Në vendin tonë mund të ketë mungesë sinjalistike dhe moskujdesi i vetë qytetarëve duke mos respektuar semaforin bën që të kemi sa më shumë aksidente. Ne si DPSHTRR kemi një projekt për sigurinë rrugore ku kemi në fokus ndërgjegjësimin e individit që në fëmijëri. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ne shkojmë në të gjitha shkollat dhe kemi një orë edukative duke i shpjeguar teorikisht tabelat apo rregullat bazë të sigurisë rrugore.  Duhet lobimi i të gjithë institucioneve që të marrin masa dhe të japin mesazhe për të rritur sigurinë rrugore. Një qytetar i mirinformuar është më i përgjegjshëm për të parandaluar një aksident.

Aktivitete do të jenë të ndryshme dhe me grupmosha të ndryshme nga fëmijët në formën e një lloj argëtimi por edhe që të mësojnë rregullat bazë e deri tek grupet e të rinjve apo edhe aktivitete me institucione të ndryshme me fokus në zbatimin e ligjit të sigurisë rrugore”, tha ajo.    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme