“Jo duhanit, jeto me ngjyra”, një ekspozitë sensibilizuese nga nxënësit e “Faik Konicës” në Korçë

Sociale | 1 vit më parë

Qendra për Hapje dhe Dialog në Korçë, në bashkëpunim me nxënësit e gjimnazit “Faik Konica”, kanë organizuar një aktivitet sensibilizues në kuadër të 31 majit, Ditës Botërore Kundër Duhanit.

Nxënësit prezantuan një ekspozitë me punime të ndryshme, të cilat kishin në qendër sensibilizimin e të rinjve për t’i thënë jo duhanit.

“Jo të gjitha veprat janë kompozime artistike të zakonshme. Një pjesë e tyre janë në formën e një parulle kundër duhanit, për sensibilizimin mbi dëmet që ai shkakton në organizmin e njeriut. Është një mesazh që njeriu duhet të përkushtohet më tepër ndaj arteve, ndaj atyre që e bëjnë të ndihet i gjallë, sesa të bjerë pre e varësive të ndryshme toksike që ekzistojnë,” tha Ardi Karanxha, drejtues i Qendrës për Hapje dhe Dialog në Korçë.

Ekspozita u titullua “Jeto me ngjyra”, pikërisht për të dhënë mesazhin se të rinjtë duhet të shohin ngjyrat e shumëllojshme të jetës dhe të mos bien pre e duhanit apo vartësive të tjera.

“Kjo ekspozitë është nisur nga dëshira jonë për të qëndruar në një ambient më të shëndetshëm. Ekspozita është zëri ynë për të ndërgjegjësuar të gjithë të rinjtë, për t’i mbrojtur.“

“Duhani krijon sëmundje shumë të këqija që na çojnë deri në vdekje.“

“Sëmundjet nga duhani janë më të vështirat për t’u shëruar. Në këtë ekspozitë kishim si ide që të ndalohet pirja e duhanit.“

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Galerisë së Arteve “Guri Madhi” në Korçë, aty ku nxënësit shijuan edhe veprat e artistëve korçarë, si një mesazh se duhet të merren me art, kulturë e sport dhe t’i thonë jo duhanit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme