John Duncan nis dëshminë në Hagë, ish-diplomati thotë se pushtetin e vërtetë në UÇK e kishin komandantët e zonave
Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili nga viti 1998 deri në fund të 2001-it ishte këshilltar i komandantit të atëhershëm të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark, dëshmoi të hënën para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku ish-presidenti Hashim Thaci, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
I thirrur si dëshmitar nga ekipi mbrojtës i Thaçit, Duncan u shpreh se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte strukturë hierarkike dhe se kompetencat e vërteta i kishin komandantët e zonës.
“Ishin të organizuar ndryshe. Nuk mund të shkonim thjesht të bisedonim me zotëri Thaçin apo me gjeneral Çekun dhe të mendonim se e zgjidhëm problemin. Nuk funksiononte kështu. Duhej të flisnim me personat që vërtet kishin kompetenca dhe ata ishin komandantët e zonave, të cilët kishin fuqinë reale në strukturën e UÇK-së. Kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneral Agim Çekun në fillim të negocimit të marrëveshjes. Na tha që nuk e bëj dot këtë pa praninë e komandantëve të zonave. Tha dy gjëra, e para, që z. Thaçi nuk ishte i disponueshëm dhe për ta bërë një gjë të tillë, Thaçi do të duhej të konsultohej. Më pas shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë nëse në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave,” deklaroi Duncan.
Ish-diplomati britanik tha gjithashtu se nga sa kishte parë, Thaçi nuk luante rolin që rëndom besohet të ketë pasur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Nuk ishte realiste që z. Thaçi të njihej si udhëheqësi politik i Kosovës. Kishte forca të tjera politike që ekzistonin atje, si LDK-ja, Rugova e të tjerë, të cilët mund ta kishin zgjedhur si udhëheqës të delegacionit në Rambuje, por ai nuk kishte atë që quhej legjitimiteti politik në një shoqëri demokratike. Nuk ishte zgjedhur nga populli. [Të njihej Thaçi si kryeministër] nuk ishte realiste, nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja politike,” tha ai.
Gjyqi ndaj Thaçit, Jakupit, Veselit dhe Selimit nisi në prill të 2023-it, ndërkohë që ndodhen në paraburgim që nga nëntori i 2020-ës.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




