Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, takon përfaqësues të disa partive politike opozitare

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka zhvilluar të mërkurën një takim me përfaqësues të disa partive politike opozitare. Takimi u fokusua në prezantimin e planit të veprimit të fushatës së Binajt dhe vizionit të tij për drejtimin e kryeqytetit.
Lajmi u bë publik përmes një postimi të vetë kandidatit në rrjetet sociale, i shoqëruar me foto të takimit.
Sipas deklaratës së Binajt, programi i tij, i hartuar nga një staf i përbërë nga “profesionistë idealistë dhe qytetarë aktivë”, ka gjetur mbështetje të plotë nga subjektet opozitare.
“Sot, me ekipin tonë, zhvilluam një takim me Ermalin, Ilirin, Barbarën, Sentjonin, Albin, Brunildën, Anisën dhe Erionin, përfaqësues të partive opozitare në vend,” shkroi Binaj. “Me kënaqësi konstatuam se programi ynë… gjeti mbështetjen e tyre.”
Më tej, ai theksoi se angazhimi i përfaqësuesve opozitarë nuk u kufizua vetëm në mbështetje, por solli edhe vlerë të shtuar.
“Angazhimi i tyre me propozime konkrete e pasuroi më tej programin tonë, i cili, në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, do të përsoset edhe më tej,” shtoi Binaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




