Kapet me kallashnikov, armë gjahu dhe fishekë në shtëpi, arrestohet 43-vjeçari në Tiranë

Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë pasi në banesën e tij u gjetën një kallashnikov, një armë gjahu dhe mbi 100 fishekë të llojeve të ndryshme.
Arrestimi u bë gjatë operacionit të koduar “Guns”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pas informacioneve dhe hetimeve që çuan te i dyshuari, shtetasi me iniciale S. A.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Allgjatë, në zonën e Vaqarrit, efektivët zbuluan një armë zjarri tip AK-47 (kallashnikov), dy krehra me 81 fishekë, si dhe një armë gjahu me 24 fishekë. Sipas policisë, të gjitha armët dhe municionet mbaheshin pa leje.
43-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa armët dhe municionet u sekuestruan si prova materiale.
Burime policore bëjnë me dije se operacioni erdhi pas një pune hetimore të kryer në bashkëpunim me prokurorinë, me qëllim verifikimin e dyshimeve se i arrestuari posedonte armë në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbuluar nëse armët janë përdorur më parë në ndonjë ngjarje kriminale apo nëse 43-vjeçari kishte lidhje me persona të tjerë të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Dosja i është kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




