Kategoria e Parë: Laçi dhe Pogradeci fitojnë në transfertë, Kastrioti mposht Lushnjën

Kategoria e Parë | 11 muaj më parë

Kanë përfunduar 3 ndeshjet e ditës së sotme të javës së 17-të të Kategorisë së Parë, të cilat kanë dhuruar rezultate shumë interesante.

Laçi merr një fitore të çmuar 2-0 në Fier përballë vendasve të Apolonisë dhe ruan vendin e dytë në klasifikim. Traore në pjesën e parë dhe Kalaj në të dytën kanë shënuar për kurbinasit, që tashmë ngjiten në kuotën e 33 pikëve në renditje.

Edhe Pogradeci ruan hapin e Laçit dhe merr një fitore të rëndësishme 3-2 në Gjirokastër përballë Luftëtarit vendas. Gjirokastritët shënojnë të parët, por liqenorët reagojnë duke shënuar 3 gola me Grecën dhe Kazeem (2 gola). Sfida ka qenë e tensionuar dhe ka patur nga një karton të kuq për secilën skuadër.

Kastrioti ka mposhtur 2-1 Lushnjën, ndërsa sfida Korabi-Burreli nuk është zhvilluar për shkak të kushteve atmosferike. Kjo ndeshje do të luhet nesër në orën 12:00.

Të dielën në orën 13:30 do të luhet edhe ndeshjet Besa-Iliria dhe Kukësi-Skënderbeu, që do të transmetohen  në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme