Kategoria e Parë mbyll javën e fundit, përcaktohen verdiktet finale para sfidës për titullin

Janë zhvilluar sot pesë ndeshjet e fundit të kampionatit “Kategoria e Parë” për sezonin 2025-2026, duke përcaktuar të gjitha verdiktet kryesore të këtij edicioni, një ditë para sfidës finale për titullin mes Skënderbeut dhe Laçit.
Java përmbyllëse konfirmoi edhe katër skuadrat që do të vijojnë garën në fazën play-off. Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti kanë siguruar vendet 3, 4, 5 dhe 6 në renditje, duke mbajtur gjallë objektivin për ngjitjen në “Abissnet Superiore” përmes fazës shtesë.
Në anën tjetër, është përcaktuar edhe skenari i mbijetesës. AF Luftëtari dhe Kukësi, të renditur në vendet 9 dhe 10, do të luajnë në play-out, ku do të përballen me fituesit e çifteve Sopoti – Shiroka dhe Butrinti – Bylis B nga “Kategoria e Dytë”, në ndeshje vendimtare për qëndrimin në “Kategorinë e Parë”.
Ndërkohë, Apolonia dhe Lushnja nuk kanë arritur të shmangin rënien nga kategoria, pasi e mbyllën sezonin në vendet e fundit të renditjes dhe sezonin e ardhshëm do të garojnë në “Kategorinë e Dytë”.
Të gjitha këto zhvillime i paraprijnë sfidës së nesërme mes Skënderbeut dhe Laçit, e cila do të vendosë edhe ekipin kampion të “Kategorisë së Parë” për këtë sezon, duke vulosur përfundimisht një kampionat të luftuar deri në fund në çdo objektiv.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




