Katër vite pa Kujtim Alinë, bashkëpunëtorët kujtojnë dirigjentin që la gjurmë ndër breza

Kulturë | 1 vit më parë

Këtë 27 gusht mbushen katër vite pa dirigjentin dhe muzikantin e njohur Kujtim Alia.

Në këtë përvjetor, bashkëpunëtorët e tij kujtojnë figurën dhe gjurmët që la pas. Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”, Orjeta Kelaj, vë në dukje rolin e tij në edukimin e brezave të rinj.

“Dashamirësia e tij, puna e tij, profesionalizmi, por mbi të gjitha njerëzorja që mësues Kujtimi ka pasur… sepse gjithmonë kanë folur sytë e mësues Kujtimit. Unë jam sot në pozicionin e mësueses dhe mundohem që me fëmijët më të cilët ne punojmë, të lëmë ato këshilla që dikur na i ka lënë mësues Kujtimi,” tha znj. Kelaj.

Dirigjenti Ermir Zoga ndan kujtimin e orëve të fundit të jetës së mjeshtrit.

“Unë kam një kujtim përfundimtar prej tij, një mesazh dy ditë para se ai të vdiste. Më erdhi rreth 2:30 të natës. Sapo kishim kryer Festivalin e 59-të. Kishte ndërtuar platformën e festivalit të 60-të. Me thoshte mes te tjerave ‘ma bëni hallall, por unë kështu jam, kështu që po ju lë’, sepse si duket e ndjente se nuk ishte në terezi,” kujton dirigjenti Zoga.

Kujtim Alia ishte themelues i konkursit “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë” dhe udhëhoqi festivale kombëtare e mbarëkombëtare për fëmijë.

Nën drejtimin e tij, Banda Frymore e Shkodrës fitoi çmime të para në Shqipëri dhe Itali.

Për gjithë kontributin e dhënë u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Ai la pas një trashëgimi të çmuar kulturore.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme