Kërkuan praninë fizike të Veliajt në mbledhje, SPAK nuk miraton kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës

Aktualitet | 11 muaj më parë

SPAK ka reaguar pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Tiranës për lejimin e përkohshëm për pjesëmarrjen fizike të kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e këshillit që do të mbahen nga 16 deri në 18 dhjetor, për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026 për qytetarët.

SPAK deklaron se i burgosuri përfiton leje të veçantë në rast të sëmundjeve të rënda të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare (si vdekje, lindje ose martesa), si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit.

SPAK vlerëson se kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të kryebashkiakut Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor.

Në këto rrethana, SPAK nuk ka miratuar kërkesën e Këhsillit Bashkiak për pjesëmarrjen fizike të Veliajt në mbledhjet e këshillit.

“VENDIM

“Për mosdhënien e miratimit paraprak në lidhje me kërkesën për leje të veçantë”

Në Tiranë, viti 2025, muaji Dhjetor, data 17.

Ne Altin Dumani dhe Ols Dado, Prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi u njohëm me kërkesën e nënshkruar nga Sekretari i Këshillit Bashkiak Tiranë, me nr. Prot. 42497/2 datë 16.12.2025,

KONSTATUAM

Se anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë, kanë paraqitur kërkesë për lejim të përkohshëm për pjesëmarrje fizike të të pandehurit të paraburgosur Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të zhvillohet në një nga datat 16 deri në 18.12.2025.

Në lidhje me këtë kërkesë, duhet mbajtur në konsideratë fakti se ligjvënësi, referuar ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, neni 73 pika 1 dhe 2, ka përcaktuar: se “I burgosuri ka të drejtën të përfitojë leje të veçantë në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë për të dënuarin jepet nga Drejtori i Institucionit, ndërsa për të paraburgosurin jepet nga Drejtori i Institucionit, me pëlqimin paraprak të prokurorit.

Gjithashtu, bazuar në VKM nr. 209 datë 06.04.2022 “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve”, nenet 101-105, konstatohet i njëjti rregullim përsa i përket rasteve të lejeve të veçanta, të cilat janë shterruese, duke referuar përsëri tek sëmundjet e rënda të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit.

Në këto kushte, arrihet në përfundimin se kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 16-18.12.2025, e trajtuar si kërkesë për leje e veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës.

Për këto arsye, bazuar në nenin 73 pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 81/2020 si dhe VKM nr. 209 datë 06.04.2022,

VENDOSËM

1. Mosdhënien e miratimit paraprak në lidhje me Kërkesën për Leje të Veçantë, përsa i përket pjesëmarrjes fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në datat 16-18 të muajit në vazhdim, të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj.

2. Të njoh me këtë vendim kërkuesin.”, thuhet në vendimin e SPAK.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme