Kinetoza gjatë udhëtimeve, mjeku: Masat parandaluese ndihmojnë në përballimin më të lehtë të kësaj gjendjeje

Sociale | 5 muaj më parë

Të përzierat, marramendja dhe të vjellat gjatë udhëtimeve me makinë, avion apo traget janë shqetësime të zakonshme që prekin si fëmijët ashtu edhe të rriturit.

E njohur si kinetozë, mjeku neurolog Gleni Halili shpjegon se pse disa persona janë më të prirur të shfaqin simptoma gjatë udhëtimeve.

“Ka disa persona që kanë një predispozitë në fakt për t’u prekur më shpesh nga ky problem siç janë fëmijët nga mosha dy deri në 12 vjeç. Femrat preken më shumë sesa meshkujt, mosha e madhe mbi 60 vjeç dhe ka të bëjë me një çrregullim të sistemit vestibular të trupit të njeriut”, tha mjeku.

Një sërë masash parandaluese dhe trajtimesh mund të ndihmojnë në reduktimin e simptomave.

“Ka medikamente që merren për ta parandaluar këtë gjendje, por ka edhe masa që mund të merren për të qenë më të qetë gjatë udhëtimit. Disa nga këshillat që u japim pacientëve që vuajnë nga ky problem janë që, kur udhëtojnë në rrugë të gjata, të përpiqen të fiksojnë shikimin në një pikë të largët, të mos lexojnë gjatë udhëtimit, të mos përdorin celularin dhe, kur është e mundur, të shmangin udhëtimet e gjata.

Ndërkohë, kur i drejtohemi medikamenteve, ekzistojnë barna që përdoren para udhëtimit dhe që ndihmojnë në parandalimin e të vjellave dhe marramendjes. Janë dy klasa kryesore medikamentesh. Kryesisht përdoret skopolamina, një medikament që gjendet shpesh në farmaci dhe mund të merret pa recetë mjekësore, si edhe antihistaminikët.

Këto janë medikamente që ndalojnë të vjellat; ato nuk e parandalojnë shkakun e problemit, pasi ky lidhet me mënyrën se si sistemi vestibular i organizmit të njeriut përpunon lëvizjen, dhe jo me një dëmtim strukturor të tij”, shpjegon mjeku.

Megjithëse kinetoza nuk konsiderohet një problem serioz shëndetësor, zbatimi i masave parandaluese ndihmon në përballimin më të lehtë të kësaj gjendjeje, duke i bërë udhëtimet më të qeta dhe më të sigurta.

Gazetare: B. Cina    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme