Kingji takon komandantin e KFOR: Misioni i NATO-s në Kosovë, më i rëndësishëm se kurrë për stabilitetin rajonal

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, Gjenerallejtënant Arben Kingji, priti sot në Tiranë Komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, në një takim ku dominuan diskutimet mbi sigurinë rajonale dhe kontributin e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Gjenerallejtënant Kingji e uroi Gjeneralmajor Ulutaş për marrjen e mandatit të dytë në krye të KFOR-it, duke e konsideruar këtë si dëshmi të profesionalizmit dhe përkushtimit të tij për ruajtjen e paqes në Kosovë.
Në një moment kur Ballkani Perëndimor përballet me sfida dhe kërcënime aktuale, Kingji theksoi rëndësinë jetike të pranisë së NATO-s.
“Vazhdimi i misionit të NATO-s në Kosovë është më i rëndësishëm se kurrë,” deklaroi Kingji, duke theksuar se misioni luan një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe të rajonit në tërësi.
Gjatë takimit u analizua situata e përgjithshme e sigurisë, si dhe sfidat që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal.
Kingji ritheksoi angazhimin e palëkundur të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të mbështetur në mënyrë të vazhdueshme misionin e KFOR-it. Ky angazhim është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë si anëtare e NATO-s.
Nga ana e tij, Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Ulutaş, vlerësoi lart profesionalizmin dhe “kontributin e çmuar” të trupave shqiptare që shërbejnë në kuadër të misionit.
Kjo vizitë e Ulutaş, e cila përfshiu edhe një takim zyrtar me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të Tiranës me Forcën Paqeruajtëse në Kosovë, duke konfirmuar përpjekjet reciproke për një situatë sigurie më të qëndrueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.










