“Kisha të ketë guxim të përballet me të kaluarën”, Papa takim me peshkopët dhe viktimat e abuzimit seksual

Europë | 46 minuta më parë

Disa orë para takimit me 7 prej viktimave të abuzimit seksual nga klerikët në Francë, Papa Leoni XIV-të duke iu drejtuar turmave të mbledhura në Lourdes, ndalesa e tretë gjatë udhëtimit të tij apostolik në Francë, tha se Kisha Katolike duhet të ketë guximin të përballet me të kaluarën e saj.

“Për të shëruar plagët e thella, pabesitë dhe gabimet e dhimbshme që kanë ndodhur brenda Kishës, ne duhet ta vendosim veten me përulësi nën vështrimin pastrues të Zotit” – deklaroi Ati i Shenjtë para mbi 150 mijë personave të mbledhur në lëndinën e Shenjtërores së Lurdës.

Në një takim të mëparshëm me dyer të mbyllura me peshkopët francezë së dielën, Papa iu referua drejtpërdrejt plagës së dhimbshme të abuzimit të kryer ndaj të miturve nga anëtarët e klerit, duke u bërë thirrje peshkopëve francezë të vazhdojnë betejën me  masat e guximshme që kishin ndërmarrë për t’u përballur me skandalet e abuzimeve.

Udhëheqësit e Kishës lokale shpresojnë se ai do të ndihmojë në përmirësimin e reputacionit të Kishës, pasi një raport i vitit 2021 zbuloi se rreth 330 mijë fëmijë francezë ishin abuzuar nga klerikët katolikë dhe udhëheqësit laikë gjatë shtatë dekadave.

Leoni i XIV-të edhe më herët gjatë vizitës në Spanjë në qershor, kërkoi falje publike për skandalet e abuzimit që kanë dëmtuar besueshmërinë e Kishës në të gjithë botën. Udhëheqësi shpirtëror i mbi 1.4 miliardë besimtarëve katolikëve po zhvillon një vizitë katër ditore në Francë, e para e një pape në dy dekada.

Mesha e tij e së shtunës në Champs-Élysées në Paris mblodhi rreth 800 mijë persona, ndërsa Ati i Shenjtë bëri thirrje që bota të rishqyrtojë zhvillimin e inteligjencës artificiale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme