Kishin humbur rrugën në një terren të vështirë malor në Qafë Mollë, Policia u shkon në ndihmë dy turistëve gjermanë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Dy turistë gjermanë, të cilët kishin humbur rrugën në një terren malor në afërsi të Qafë Mollës, janë lokalizuar dhe shoqëruar në një zonë të sigurt nga shërbimet e Policisë së Tiranës.

Ngjarja u raportua rreth orës 20:15, më 13 shtator 2026, kur policia u njoftua se dy turistët kishin nevojë për ndihmë, pasi kishin humbur rrugën në zonën pas malit të Dajtit.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan operacionin për gjetjen dhe shoqërimin e tyre.

Pas kërkimeve, dy turistët u lokalizuan në një terren të vështirë malor. Policia u dha ndihmën e nevojshme dhe i shoqëroi nga zona ku kishin humbur, duke konfirmuar se ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët gjermanë falënderuan efektivët për reagimin e shpejtë dhe asistencën e ofruar.

Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe u bën thirrje të gjithë personave që ndodhen në situata emergjente të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme