Kodi i ri Penal, Ministria e Drejtësisë zhvillon tryezën e parë konsultuese me gjyqtarë e prokurorë

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Grupin e Punës për hartimin e Kodit të Ri Penal, organizoi sot tryezën e parë konsultuese me përfaqësues të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë dhe përmbarues gjyqësorë.
Sipas njoftimit të bërë nga Ministria e Drejtësisë, bëhet e ditur se diskutimi i hapur, aktiv dhe gjithëpërfshirës solli perspektiva profesionale e sugjerime konkrete, veçanërisht mbi krimet kundër sistemit të drejtësisë.
“Kjo tryezë shënon fillimin e një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimesh me të gjithë aktorët, për të garantuar një Kod Penal modern, koherent dhe në shërbim të drejtësisë!”, njofton ministria.
Ministri i Drejtësisë në detyrë, Ulsi Manja gjatë tryezës së dytë të mbajtur për prezantimin e draftit të Kodit të ri Penal, deklaroi se janë parashikuar 25 tryeza konsultimi publik që pritet të nisen në mes të muajit shtator.
Kujtojmë se drafti i parë i Kodit të ri Penal u paraqit më 25 korrik pas një pune voluminoze disavjeçare nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi.
Kodi Penal është miratuar në janar 1995. Në kohën e miratimit ky kod kishte 362 nene, ndërsa sot ka mbi 600. Vit pas viti, Kodi Penal që prej asaj periudhe ka pësuar deri më tani 30 ndërhyrje, dhe shtesave të vazhdueshme, për t’iu përgjigjur nevojës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik që ka kaluar Shqipëria.
Ministria ka paralajmëruar se tryeza të tjera do të pasojnë, duke përfshirë ekspertë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në funksion të një reforme gjithëpërfshirëse dhe transparente.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




