Komandanti i KFOR-it: Shpresojmë të zgjidhet ngërçi politik në Kosovë, rajoni ka sfida urgjente

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani ka shprehur besimin për një zhbllokim të shpejtë të ngërçit politik në vend, për të mundësuar përballjen me sfidat më urgjente që prekin rajonin.
Këtë qëndrim Barduani e ka shprehur gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ku takimi mes dy zyrtarëve ishte pjesë e kontakteve të rregullta të KFOR-it me institucionet në Kosovë dhe rajon.
Sipas njoftimit të KFOR-i, gjeneral Barduani vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë, për të siguruar një ambient të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet.
Ai vlerësoi gjithashtu komunikimin e vazhdueshëm me autoritetet vendore dhe theksoi rolin e KFOR-it si garantues i sigurisë dhe lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ndërkaq, në njoftimin e Presidencës së Kosovës theksohet se “presidentja Osmani potencoi sfidat aktuale të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë tek siguria kufitare dhe domosdoshmëria për parandalim dhe shmangie të çdo përpjekjeje për destabilizim nga Serbia. Më tej, Presidentja vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe angazhimit të ndërsjellë”
Presidentja dhe Komandanti i KFOR-it riafirmuan përkushtimin e përbashkët për bashkëpunim të vazhdueshëm, në përputhje me mandatin e NATO-s dhe interesin e përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




