Komisioneri për të Drejtën e Informimit: Transparenca, shtyllë e qeverisjes së mirë dhe instrument i integritetit

Në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025, u mbajt këtë të martë (16 dhjetor) Konferenca VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi nënvizoi se transparenca është një e drejtë kushtetuese për qytetarët dhe një kulturë pune që nxit integritetin në çdo hallkë të administratës publike.
Ai shtoi se raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerëson ligjin për të drejtën e informimit në Shqipëri si në përputhje të gjerë me standardet evropiane, por zbatimi praktik mbetet i paqëndrueshëm.
Dervishi theksoi se 60-70% e ankesave që mbërrijnë në zyrën e Komisionerit zgjidhen menjëherë, falë ndërhyrjeve dhe trajnimeve të vazhdueshme për të krijuar një kulturë komunikimi, përfshirë arsyetime të detajuara për refuzimet e informacionit, seanca dëgjimore publike dhe trajnimet mbi përdorimin e ligjit për të drejtën e informimit.
“Autoritetet publike vijojnë të përdorin justifikime të përgjithshme lidhur me interesin publik për publikimin e informacionit, më të përditësuar në faqen e Autoritetit Publik , si edhe të informacioneve të dobishme për qytetarët dhe interesin publik. 60-70% e ankesave që vijnë në zyrën e Komisionerit marrin menjëherë zgjidhje, pasi ndërhyn zyra jonë, pasi krijohet një inflacion kërkesash krejtësisht i panevojshëm, pavarësisht përpjekjeve për të krijuar një kulturë komunikimi, nëpërmjet arsyetimeve të detajuara, kërkesave për parashtrime, gjatë seancave dëgjimore publike pranë Zyrës së Komisionerit, por edhe trajnimeve të shumta që kemi zhvilluar lidhur me pabazueshmërinë, lidhur me argumentet në refuzimin e dhënies së informacionit”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi më tej rëndësinë e informacionit proaktiv, duke e quajtur atë “fytyra” e autoriteteve publike: mangësitë në publikimin e tij dëmtojnë qytetarët dhe penalizojnë institucionet. Dervishi përfundoi duke theksuar se zbatimi i drejtë i ligjit kërkon angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet publike, me kontributin e medias dhe shoqërisë civile.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




