Komisionet parlamentare i hapin rrugë rikthimit të gjuetisë, OJF-të kërkojnë ndalimin e gjuetarëve të huaj

Aktualitet | 11 muaj më parë

Pas vitesh ndalim përmes moratoriumit, gjuetia në Shqipëri pritet të rifillojë së shpejti, por këtë herë nën rregulla të reja.

Projektligji i ri “Për gjuetinë” ka marrë sot dritën jeshile në Kuvend, duke u miratuar në parim dhe në tërësi gjatë një mbledhjeje të përbashkët të Komisionit të Bujqësisë dhe atij të Veprimtarive Prodhuese (Burimet Natyrore).

Mbledhja, e drejtuar nga Blendi Klosi dhe Anila Denaj, u shoqërua me debate të forta gjatë seancës dëgjimore me grupet e interesit, ku organizatat mjedisore shprehën rezerva të thella për kapacitetet e shtetit për të kontrolluar territorin.

Përfaqësuesit e OJF-ve mjedisore ngritën shqetësimin se hapja e gjuetisë mund të rikthejë masakrën ndaj faunës, për shkak të mungesës së kontrolleve efektive. Kërkesa më e fortë e shoqërisë civile ishte ndalimi i gjuetarëve të huaj në territorin shqiptar, duke i parë ata si rrezik për shfrytëzimin pa kriter të faunës vendase. Gjithashtu, ata kërkuan që zonat e ndjeshme të shpallen rreptësisht të ndaluara për gjuetinë.

Gjueti me standarde evropiane

Kryetari i seancës, Blendi Klosi, argumentoi se me përfundimin e moratoriumit, ky ligj është i domosdoshëm për të rregulluar aktivitetin sipas normave evropiane.

“Jemi në një moment kyç. Ligji i ri synon rifillimin e gjuetisë duke balancuar pasionin e gjuetarëve me mbrojtjen e faunës së egër dhe zhvillimin e turizmit natyror,” theksoi Klosi.

Nga ana tjetër, bashkëkryetarja Anila Denaj vuri theksin te siguria shëndetësore. Ajo kërkoi një bashkëpunim të ngushtë mes Shoqatës së Gjuetarëve, OJF-ve dhe institucioneve për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve nga kafshët (zoonozave), një rrezik real nëse gjuetia nuk monitorohet.

Të pranishëm në diskutime ishin edhe Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Bashkive. Pas dëgjesave, dy komisionet votuan pro projektligjit, duke i hapur rrugë miratimit final në seancë plenare, çka do të shënojë zyrtarisht fundin e epokës së moratoriumit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme