Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve vendos rinumërim votash në Durrës pas akuzave për manipulim

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) vendosi sot, me iniciativë të dy anëtarëve, të hapë kutitë e votimit në dy KZAZ-ve (Zona të Administrimit Zgjedhor) në qarkun Durrës, numrat 21 dhe 22. Gjithashtu, KAS do të rinumërojë të gjitha kutitë e votave të diasporës për këtë qark, 126 kuti të tjera për shqyrtim të votës dhe materialeve zgjedhore, si dhe 60 kuti të qendrave të pretenduara në ankimim nga Partia Lëvizja e Legalitetit dhe kandidati i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja.
Ky vendim vjen pas pretendimeve të forta të kandidatit Aulon Kalaja se i janë “vjedhur” vota nga brenda Partisë Demokratike dhe i janë devijuar në favor të fituesit Arjan Ndoja, ish-prokuror i shkarkuar nga Vettingu, si dhe kandidatëve të tjerë.
Pretendimet e partive dhe vendimi i KAS
Më herët gjatë ditës, KAS rrëzoi ankimimin e Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim, që kërkonte pavlefshmërinë e rezultatit dhe përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit. Komisioni arriti në përfundimin se “provat e dorëzuara nuk sillnin ndryshim rezultati”.
Megjithatë, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore procedurale, dy anëtarë të KAS ushtruan të drejtën e vetos sipas Nenit 136 të Kodit Zgjedhor. Kjo bëri që të merren parasysh pjesërisht disa nga kërkesat, duke vendosur këqyrjen ose rinumërimin e kutive në dy KZAZ-ve dhe të gjitha kutive të diasporës. Kërkesa e Aulon Kalasë për hapjen e 60 kutive të pretenduara u pranua gjithashtu pjesërisht, megjithëse ai kërkoi hapjen e të gjitha kutive, rreth 500 qendra votimi, në qark.
Relatori Elvis Çefa njoftoi se data, ora dhe vendi i procesit të rinumërimit do të bëhen të ditura më vonë, ndërsa administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është udhëzuar të marrë masat e duhura. Vendime të ngjashme janë marrë edhe më herët, me iniciativë të dy anëtarëve të Partisë Demokratike në KAS, për rihapjen e të gjitha kutive për qarqet e Tiranës dhe Fierit.
Dëshmitë dhe provat e prezentuara nga Aulon Kalaja
Gjatë mbledhjes së KAS, u dëgjuan provat e depozituara nga kandidati Aulon Kalaja. Ai shqyrtoi filmimet e pamjeve nga KQZ në qendrat e numërimit, duke pretenduar devijim votash jo vetëm ndaj tij, por edhe të 13 kandidatëve të tjerë. Kalaja u përfaqësua në ankimim nëpërmjet subjektit politik “Partia Lëvizja e Legalitetit”. Një tjetër kandidate që ankimoi për të njëjtin qark ishte edhe Ilirjana Kuçana.
Përfaqësuesi ligjor i Kalasë detajoi momentet dhe pamjet ku votat në ekran lexoheshin ndryshe nga ato që shënoheshin në procesverbal. Ai theksoi se në shumicën e rasteve, votat i ishin shtuar kandidatit fitues të listës së hapur të Partisë Demokratike në Durrës, Arjan Ndoja.
“Në një rast kemi evidentuar se në ekran shfaqen 31 vota për kandidatin Arjan Ndoja dhe në procesverbal na rezultojnë 37 vota. Ka raste edhe kur u janë hequr e shtuar kandidatëve të tjerë. I kemi me minuta dhe kohë në 69 kuti që kemi verifikuar deri tani,” deklaroi përfaqësuesi. Ai solli si shembull KZAZ nr. 21, qendra e votimit 1361, tavolina 1, ku sipas tij, tabela nuk përputhej me procesverbalin, me vota të lëvizura për Aulon Kalajn (nga 4 në 2), për kandidatin Hoxha (nga 3 në 2), dhe për kandidatin Ndoja (nga 20 në 25).
Anëtari i KAS, Ilir Rusmali, kërkoi shpjegime nëse ky “trend” dhe verifikim çonte në ndryshimin e rezultatit dhe në dyshimin e arsyeshëm se Kalasë dhe kandidatëve të tjerë u ishin hequr vota sa për të ndryshuar rezultatin. Përgjigja ishte “po, ndaj kërkojmë hapjen e të gjitha kutive.”
Kalaja vetë shprehu dyshime të forta me provat e deritanishme se ka pasur devijim rezultati, duke kërkuar jo vetëm hapjen e 69 kutive për të cilat dorëzuan prova, por të të gjitha mbi 500 kutive në qarkun e Durrësit. Ai theksoi se kishte vepruar jo për mandat, por për transparencë, duke shtuar se vota i ishin shpallur të pavlefshme dhe votat e një kandidati ishin rritur artificialisht.
Verifikimi “Live” dhe pasojat
Përfaqësuesi i Kalasë solli si precedent çështjen e Tiranës, ku vetëm me disa fakte u vendos hapja e të gjitha kutive. KAS kërkoi më shumë prova konkrete lidhur me shifrat dhe trendin që konfirmonte ndryshim rezultati. Kalaja sfidoi Komisionin, duke ofruar të verifikonin vetë mbi 500 kuti votimi përmes filmimeve që kishin marrë me USB dhe më pas t’i dorëzonin me “Timecode”.
Më pas, u kalua në verifikimin “live” të filmimeve për disa nga kutitë, ku u zbuluan disa parregullsi. Këto parregullsi u konfirmuan pas rifillimit të mbledhjes edhe nga administrata e KQZ-së. Drejtoresha e KQZ-së, Pavlina Doçaj, deklaroi: “Po, nga verifikimi që u bë u konstatua se në një kuti votimi, kandidati Kalaja në ekran ka 4 vota dhe në procesverbal janë shënuar 2 vota. Është edhe një rast i dytë.”
Përfaqësuesit e KAS sugjeruan se kjo rrugë mbetet për t’u zgjidhur nga SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) me kallëzim për mënyrën se si ishte vepruar në rastet ku u gjetën parregullsitë.
“Patjetër, ajo vjen më pas. Unë e kam thënë e premtuar që në fillim, është procedurë që do ndiqet. Nuk bëhet vetëm për mua. Por si kjo kutia këtu që konstatuam, ku kam marrë 4 vota e më janë shënuar 2, ka edhe të tjera, se vijon te kutitë e tjera,” u përgjigj Kalaja.
Përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Elena Xhina, u shpreh se provat dhe pretendimet e paraqitura nuk çojnë në ndryshimin e rezultatit dhe pavlefshmërinë e tij që të çon në përsëritje, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të KQZ-së. Pasi dëgjoi palët, KAS shtyu mbledhjen për më vonë, për të shqyrtuar edhe provat e dorëzuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



