Komisioni i Ekonomisë, “dritë jeshile” për parkun diellor në Belsh dhe rregulla të reja për konfliktin e interesit

Ekonomi | 11 muaj më parë

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ka miratuar në mbledhjen e fundit dy projektligje të rëndësishme që prekin sektorin energjetik dhe transparencën e administratës publike. Nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, deputetët i kanë dhënë rrugë marrëveshjes së re me BERZH për investime në energjinë diellore, si dhe kanë miratuar ndryshime ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit.

Parku i ri Fotovoltaik në Belsh

Në cilësinë e komisionit përgjegjës, është miratuar marrëveshja e garancisë mes Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo marrëveshje i hap rrugë huasë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për ndërtimin e një impianti fotovoltaik.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu, shpjegoi se projekti parashikon ndërtimin e një impianti diellor me kapacitet 50 MWp në zonën e Belshit.

“Ky projekt synon rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, diversifikimin e portofolit të prodhimit duke ulur varësinë nga burimet hidrike, si dhe zhvillimin ekonomik të zonës,” u shpreh Kadiu.

Relatorja Antoneta Dhima vlerësoi kushtet e favorshme të kësaj huaje, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt “Energjisë së Gjelbër”.

Ndryshon ligji për konfliktin e interesit

Pika e dytë e rëndësishme e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i nismës së deputeteve Aulona Bylykbashi dhe Erjona Ismailaj për “Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Bashkë-nismëtarja Erjona Ismailaj theksoi se këto ndryshime vijnë si nevojë për të përafruar legjislacionin shqiptar me rekomandimet e GRECO-s dhe direktivat e BE-së.

“Qëllimi nuk është vetëm plotësimi i kuadrit ligjor, por krijimi i instrumenteve kontrollues pro-aktivë që garantojnë zbatim të barabartë të ligjit për çdo zyrtar,” sqaroi Ismailaj.

Në mbledhje ishin të pranishëm edhe inspektorë të ILDKPKI-së. Relatorja Zamira Sinaj theksoi se ky ligj rrit besimin e qytetarëve tek vendimmarrja publike dhe nuk ka kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Projektligji u miratua në parim dhe nen për nen, duke përfshirë disa riformulime të sugjeruara gjatë diskutimeve.

Të dyja projektligjet i kalojnë tashmë për votim final seancës plenare të Kuvendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme