Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, Opozita kërkon prezencën e Ministres Spiropali

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme nën drejtimin e ish-ministrit Igli Hasani ka nisur zyrtarisht punimet.
Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, kërkoi që ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, të paraqitej në komision për të informuar mbi qëndrimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
“Është shumë e rëndësishme që ministrja e re e Jashtme të paraqitet në komision, të raportojnë mbi objektivat e saj në politikën e jashtme të Shqipërisë, të raportojë mbi vizitën e saj, së fundi, në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, për takimet e saj,” tha z. Kapri.
Kryetari i komisionit u shpreh se kërkesa për pjesëmarrjen e ministres Spiropali duhet të bëhet me shkrim.
“Kërkesa për të pasur ministrat mirë është që të bëhet me shkrim, që ne të kemi të gjithë aspektin burokratik dhe administrativ të përcjelljes së kërkesave,” shtoi z. Hasani.
Opozita kërkoi gjithashtu sqarime mbi qëndrueshmërinë e vendit lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Ne ende nuk jemi të qartë se cila është qasja e Shqipërisë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndalur dialogun strategjik,” pyeti deputeti Kapri.
“Jo vetëm që ka një doktrinë të politikës së jashtme, Kosova ka qenë pika e parë e çdo diskutimi. Këtu ka ministra të jashtëm që janë prezentë dhe mund ta konfirmojnë këtë gjë,” u përgjigj kryetari Hasani.
Një tjetër temë që u diskutua në komision ishte edhe mbështetja e Shqipërisë për planin e Shteteve të Bashkuara të propozuar nga presidenti Donald Trump për mbylljen e konfliktit në Gazë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




