Komunizmi barazohet me nazizmin, Çekia miraton ligjin që ndalon propagandën e ideologjive shtypëse

Republika Çeke ka vendosur të barazojë zyrtarisht komunizmin me nazizmin në kuadër të ligjit penal. Kjo ndodhi pas nënshkrimit të një ndryshimi në Kodin Penal nga presidenti Petr Pavel.
Sipas këtij ligji të ri, të dy ideologjitë konsiderohen si kërcënime të barabarta për të drejtat dhe liritë e njeriut. Ligji do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2026.
Iniciativa u propozua nga lëvizja qytetare “Nëntori nuk ka mbaruar ende”, e udhëhequr nga Martin Mejstrik, një ish-aktivist i Revolucionit të Kadifenjtë.
Historianët e Institutit Çek për Studimin e Regjimeve Totalitare mbështetën gjithashtu këtë nismë. Ligji u miratua nga të dyja dhomat e parlamentit, me mbështetje nga partitë e koalicionit qeveritar.
Partia Komuniste e Çekisë, ndonëse jo në pushtet, ka shumë anëtarë dhe gëzon përkrahje popullore dhe tashmë shtrohet pyetja nëse kjo parti do të ndalohet, pasi me ndryshimet e fundit 403 i rishikuar parashikon dënime me burg për ata që mbështesin ose përhapin ideologji shtypëse si komunizmi apo nazizmi. Dënimi i parashikuar shkon nga një deri në pesë vjet.
Ky zhvillim konsiderohet si një fitore e atyre që kanë luftuar prej dekadash kundër trashëgimisë komuniste në vend.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




