Rrëzohen mocionet e opozitës. Debate në Konferencën e Kryetarëve për programin e qeverisë dhe gjenocidin serb

Politikë | 1 vit më parë

Kërkesa e demokratëve për mocion me debat për programin e qeverisë është rrëzuar pas diskutimeve në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, kërkoi zhvillimin e seancës plenare të enjten me rend dite mocionin me debat. Ai deklaroi se mazhoranca po i shmanget debatit dhe transparencës.

“Meqenëse nuk është caktuar seancë këtë të enjte, kërkojmë që ky mocion të zhvillohet pikërisht atë ditë. Konferenca e Kryetarëve nuk vlerëson përmbajtjen e kërkesës për mocion. Konferenca vendos vetëm datën. Kërkesa është konforme rregullores dhe ka një pikë: aspiratën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Keni qenë ju që keni bërtitur në Kuvend se opozita nuk do debat.

Sot jeni ju që po e faktoni se kush nuk do debat, kush nuk ka një bilanc për t’u përballur në debat, kush nuk ka një program të qarte për atë që e keni shpallur prioritet pra anëtarësimin në BE. Nga njëra anë bërtisni se kemi krijuar jo normalitet në Kuvend, nga ana tjetër refuzoni debatin.

Bilanci i vetëm i qeverisë është ku do të udhëtojnë për takime, kujt do ti japin leje ndërtimi, cili është koncensioni i radhës apo cilat para do të vidhen”, deklaroi Bardhi.

Edhe Tedi Blushi nga Partia e Lirisë e cilësoi vendimin si një tjetër përpjekje për t’i zhbërë opozitës të drejtën kushtetuese.

“Me forcën e kartonit i mohon të drejtën kushtetuese të opozitës, mbështetur mbi Rregulloren e Kuvendit, që gjithashtu buron nga Kushtetuta, për të zhvilluar një debat normal dhe për të rikthyer debatin në Parlament,” tha Blushi.

Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh se kërkesa e opozitës përmban gjashtë çështje të ndara në nënçështje, të cilat nuk bien në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, diskutimi i programit të qeverisë dhe përbërja e tij, dy javë pas miratimit, është një pikë e ezauruar tashmë.

“Kuvendi i Shqipërisë ka përcaktuar një sërë mekanizmash në funksion të deputetëve/ grupi deputetësh apo Grupi Parlamentar për të ushtruar mbikëqyrje të ekzekutivit. Jo pa shkak Kuvendi ka përcaktuar në nenin 98 mocionin për një arsye të veçantë dhe konkrete. Duke qenë se kërkohet mirëkuptim, do të keni gjithmonë mirëkuptimin tonë.

E lexova mocionin në të cilin ka 6 super çështje, ku në secilën ka shumë nën çështje. Rregullorja thotë një çështje. Në kërkesë ju caktoni disa makro çështje.

Mjafton dy çështjet e para që listoni të cilat përfaqësojnë dy super çështje të mëdha me shume nënçështje. Çështjen katër kërkoni integritetin e ministrave dhe më pas vazhdon me kriminalizimin e politikës shqiptare. Pra z. kryetar jemi para një kërkesë që nuk respekton as në formë, as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit. Në të kaluarën kemi bërë debat dhe jemi dakordësuar që të hartohet mocioni për një çështje të caktuar”, deklaroi Balla.

Konferenca e Kryetarëve rrëzoi edhe kërkesën e opozitës për mocion me debat mbi gjenocidin serb në Kosovë. Balla kujtoi se Kuvendi ka miratuar që nga vitet ’90, rezoluta dhe deklarata që dënojnë krimet e Millosheviçit në Kosovë, ndërsa për rezolutën mbi procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, sqaroi se Shqipëria do të veprojë sapo të ketë një akt të ngjashëm nga Parlamenti i Kosovës.

“Sapo Parlamenti i Kosovës… sepse mbi bazën e një vendimi të Parlamentit të Kosovës është ngritur gjykata etj. neve na takon ‘edhe me ligj, edhe me kanun’ që ta miratonim të dytët një rezolutë të tillë,” u shpreh Balla.

Ndërkohë, gjatë ditës u konstituan edhe pesë nga njëmbëdhjetë komisionet parlamentare pas miratimit të përbërjes së tyre javën e kaluar.

Gazetare: j.k., Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme