Konferenca e Kryetarëve, nuk arrihet dakordësia për kalendarin e punimeve, miratohet nënkomisioni për dezinformimin

Nën drejtimin e Zëvendëskryetares së Kuvendit, Klodiana Spahiu, Konferenca e Kryetarëve zhvilloi mbledhjen e radhës për të diskutuar agjendën legjislative të periudhës së ardhshme. Gjatë këtij takimi u shqyrtuan projektprogrami i punës për periudhën 15 qershor – 24 korrik 2026 dhe projektkalendari i punimeve për periudhën 15 qershor – 3 korrik 2026.
Si rrjedhojë e mosarritjes së dakordësisë mbi këto dy dokumente, Konferenca e Kryetarëve vendosi që shqyrtimi dhe votimi i tyre t’i kalojë seancës plenare.
Në vijim të rendit të ditës, u shqyrtua Raporti i monitorimit për periudhën 1 janar – 31 mars 2026, i cili fokusohet në zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit për adresimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2025.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe iniciativa për ngritjen e një strukture të re brenda Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Sipas njoftimit zyrtar:
“Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Klodiana Spahiu, bëri me dije gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve edhe propozimin e deputetëve të mazhorancës në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, për ngritjen e Nënkomisionit për integritetin e informacionit publik, dezinformimin dhe ndërhyrjeve të huaja, kërkesë e cila u paraqit nga Kryetarja e komisionit, znj. Jorida Tabaku.”
Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën për ngritjen e këtij nënkomisioni, i cili do të ketë si fokus çështjet e integritetit të informacionit dhe luftën kundër dezinformimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




