Konispoli, oazi i agrumeve magjeps turistët me traditën dhe natyrën
Konispoli, qyteti më jugor i Shqipërisë, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion turistik tërheqës.
Pozita gjeografike pranë kufirit me Greqinë, klima e ngrohtë dhe natyra e pasur e bëjnë këtë zonë gjithnjë e më të preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj. Turistët vijnë për të zbuluar një vend me histori, tradita të ruajtura dhe një identitet të fortë kulturor.
“Konispoli ka shumë atraksione që mund të vizitohen, jo vetëm natyrën që ka një reliev të mrekullueshëm. Ajo që do përmendja është shpella e Kreshoi që mendohet të jetë 27 mijë vjeçare. Është një atraksion që padyshim vlen të vizitohet. Platacionet ngjallin një kureshtje të madhe”, juli Lako, nënkryetar i bashkisë.
Konispoli është i njohur për trashëgiminë e pasur kulturore dhe për plantacionet me agrume, sidomos mandarinat, që mbulojnë zonën dhe i japin një karakter të veçantë.
Gjurmët historike, kultura e vjetër dhe festat tradicionale janë një tjetër element që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë përvoja autentike larg turizmit masiv.
Rritja e interesit për zonën është një mundësi e madhe për zhvillimin e turizmit lokal, agroturizmit dhe ruajtjen e vlerave tradicionale.
Konispoli është sot një shembull i qartë se si një qytet i vogël mund të shndërrohet në një pikë të rëndësishme turistike falë trashëgimisë, natyrës dhe njerëzve të tij.
Gazetare Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




