Konkursi mbarëkombëtar, “Shtegu i Poezisë Fishtjane” bashkon kulturën e traditën në Lezhë

Kulturë | 1 vit më parë

Gjatë një ceremonie të mbajtur në Lezhë në 154-vjetorin e lindjes së poetit kombëtar “At Gjergj Fishta” janë shpallur fituesit e edicionit të pestë të konkursit mbarë kombëtar me të njëjtin emër. 

Lulzim Tafa në poezi, Ermal Hasimja në prozë dhe Milena Selimi në përkthim janë fituesit e çmimeve letrare “At Gjergj Fishta” për vitin 2025.

Librat e 80 autorëve pjesëmarrës janë vlerësuar nga një juri e përbërë nga shkrimtarët Rudolf Marku, Erenestina Halili dhe Bajram Kosumi.

Në fjalët përshëndetëse u theksua rëndësia e këtij çmimi si një prej më prestigjiozëve në letërsinë shqipe, që mban emrin e figurës më përfaqësuese të kombit.

“Lezha është kthyer në epiqendrën e letërsisë shqiptare ku emri i At Gjergj Fishtës i bën nder këtij konkursi dhe këtij qyteti”, u shpreh Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu.

“Konkursi letrar me emrin e nderuar të At Gjergj Fishtës, ka filluar të bëhet pjesë e një tradite letrare”, tha Rudolf Marku.

Fituesit e konsideruan këtë vlerësim si nxitje për të vijuar krijimtarinë e tyre letrare.

“Është nder dhe privilegj që të marr këtë çmim dhe këtë emër, faleminderit jurisë”, tha Milena Selimi.

“Poezinë gjithmonë e kam konsideruar ecje”, tha Lulzim Tafa.

“Kjo është një ndër herët që kam ndjerë më tepër emocione”, tha Edmond Hasimja.

Në të njëjtin kuadër, në Fishtë u zhvillua itinerari “Shtegu i Poezisë Fishtjane”, një udhëtim që ndërthur fjalën e Fishtës me mikpritjen dhe traditën lokale.

Përmes 12 stacioneve, vizitorët shkelën në vendlindjen e poetit, lexuan 100 thënie të tij dhe shijuan gastronominë e zonës.

Falë bashkëpunimit mes komunitetit, bizneseve dhe institucioneve, Tetori Fishtjan po kthehet në një traditë të re që bashkon kulturën, trashëgiminë dhe turizmin në Lezhë.

Gazetar: M. Marashi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme