Kosova autorizon dërgimin e FSK-së në Gaza – Haxhiu firmos vendimin për mision paqeruajtës

Kosova autorizon dërgimin e FSK-së në Gaza – Haxhiu firmos vendimin për mision paqeruajtës
Ushtruesja e detyrës së presidentes së shtetit, Albulena Haxhiu, ka autorizuar sot dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, pasi të premten 89 deputetë i thanë po dërgimit të ushtrisë së Kosovës atje.
Haxhiu shprehet se vendimi pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar.
“Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot autorizova dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza. Ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar”, shkroi ajo.
Tutje, Haxhiu si ushtruese e detyrës së presidentes thotë se nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




