Kosova dhe Shqipëria bashkëpunim në bujqësi, dakordësim për sigurinë ushqimore dhe integrim të tregjeve
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, Armend Muja, ka folur për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e bujqësisë, duke vënë theksin te siguria ushqimore dhe barrierat që vazhdojnë të hasen nga prodhuesit dhe fermerët.
“Kemi pasur rastin ta takojmë zyrtarisht ministrin e Bujqësisë, homologun tim, zotin Andi Salla. Së bashku me stafet e ministrive jemi dakordësuar të mbajmë kontakte të rregullta, ndërsa një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë siguria ushqimore. Së dyti, kemi rënë dakord të punojmë për heqjen e barrierave ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që të rritet integrimi i tregjeve tona. Së treti, kemi identifikuar si një prioritet të rëndësishëm zonat pranë kufirit, si Hasi dhe Malësia e Gjakovës, me synimin që në të ardhmen të mund të ndërtojmë një skemë të përbashkët për mbështetjen e zonave rurale”, tha Muja.
Ministri në detyrë theksoi se fermerët në Kosovë dhe Shqipëri përballen me probleme dhe sfida të ngjashme.
“Ne kemi vështirësi tek dalja në tregjet rajonale edhe tregjet europiane. E dyta është sezonaliteti i prodhimit. Nga marsi deri në qershor, si duket, ka më tepër prodhim, ndërkohë që më pak konsum, dhe kjo kërkon masa shtesë”, tha ai.
Sipas Mujës, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e bujqësisë mbetet i rëndësishëm për zhvillimin rural dhe forcimin e sigurisë ushqimore në rajon.
Gazetare: I. Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




