Kosova drejt krijimit të xhandarmerisë, Sveçla: Strukturë e re për sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve
Kosova ka nisur hapat e parë për krijimin e Xhandarmërisë, një strukturë e re sigurie që pritet të funksionojë në varësi të Ministrisë së Brendshme. Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, njoftoi se ka firmosur ngritjen e grupit punues që do të analizojë mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtij institucioni.
Sipas tij, Xhandarmëria do të ketë rol kyç në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës. Sveçla deklaroi se struktura e re do të garantojë prezencë më të fortë shtetërore në kufij dhe në zonat me rëndësi strategjike.
Ai theksoi se Xhandarmëria do të angazhohet edhe në luftën kundër terrorizmit, menaxhimin e situatave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Sipas ministrit, krijimi i këtij mekanizmi synon të rrisë kapacitetet e shtetit për parandalimin dhe neutralizimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike.
Xhandarmëria njihet si një forcë sigurie me karakter ushtarak që kryen edhe detyra policore. Struktura të tilla funksionojnë në disa vende të botës, përfshirë Serbinë dhe Francën.
Në Francë, Xhandarmëria ka kompetenca të gjera në ruajtjen e rendit publik, sigurinë civile dhe menaxhimin e krizave. Forca të këtij lloji njihen edhe nga NATO si pjesë e mekanizmave të sigurisë dhe stabilitetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




