Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme? Analiza e Spahiut: Situata lidhet me lojërat për vendimin e Hagës

Politologu Nexhmedin Spahiu, i ftuar në emisionin “3D” në RTSH, me Alban Dudushin, ka analizuar krizën politike në Kosovë për formimin e qeverisë, duke mos përjashtuar mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Spahiu e lidhi ngërçin aktual politik me pritshmëritë dhe lojërat e lidhura me Gjykatën Speciale në Hagë.
“Në dhjetor pritet të jepet vendimi në Hagë. Një palë pret që të akuzuarit të dënohen dhe të dëmtohet forca e dytë politike që është PDK. Ndërsa pala tjetër pret që shpallen të pafajshëm dhe të ketë mundësi për të pasur sukses,” shpjegoi Spahiu.
Sipas tij, është pikërisht ky kalkulim politik që po shkakton ngërçin e formimit të qeverisë, duke thënë se: “Të dy palët e kanë shkaktuar ngërçin. Nuk përjashtohen zgjedhjet e parakohshme.”
Analiza e aleancave politike
Analisti u ndal gjithashtu në sfidat e balotazhit të zgjedhjeve lokale, duke theksuar rëndësinë e Mitrovicës dhe Prishtinës. Ai sugjeroi se ai që merr Mitrovicën fiton “peshë më të madhe politike në rang kombëtar.”
Spahiu kritikoi Kryeministrin Albin Kurti për mosveprim në drejtim të formimit të qeverisë, duke thënë se ai “mund të bënte qeveri me Limajn dhe të ecte. Nuk e kuptoj pse nuk ia dha kryetarin e kuvendit Limajt. Nuk di pse nuk eci në këtë drejtim.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




