Kosova ende pa Kuvend, opozita: Kaosi u shërben keqbërësve. LVV: Vetëm votimi i fshehtë na nxjerr nga ngërçi
Bllokada institucionale në Kosovë vazhdon, pasi edhe për herë të 36-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit. Seanca e sotme, e udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari, nuk solli ndryshim në ngërçin politik që po zvarritet prej muajsh.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, deklaroi se kjo gjendje kaosi u shkon përshtat atyre që përfitojnë nga mungesa e kontrollit parlamentar.
“Nëse do të kishim Kuvend funksional, do të kishim komisione hetimore, debate dhe kërkesa për llogaridhënie ndaj institucioneve. Keqbërësit po e shfrytëzojnë këtë vakum institucional. Përgjegjësinë e mban LVV-ja, që ka 48 deputetë, por është ngujuar pas një kandidati për të cilin nuk i ka votat,” tha Bajrami.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se faji për bllokadën bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne si PDK kemi qenë të hapur për kompromis, përveç për emra që kanë qenë ministra në qeverinë Kurti. Por LVV po refuzon çdo zgjidhje dhe po mban Kuvendin të bllokuar”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, e drejtoi gishtin nga partitë e tjera, duke thënë se ato po e bojkotojnë procesin e votimit dhe po e kushtëzojnë atë në mënyrë të papranueshme.
“Duhet të zhvillohet votimi i fshehtë, pasi deputetët duhet të jenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre. Është absurde që u thuhet të fotografojnë votën. Le të konsumohet kjo mënyrë njëherë,” tha Murati.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 qershor, në orën 11:00.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




