Kosova në ngërç institucional, PDK: Të sjellin emër tjetër përveç Haxhiut. LVV: Reciprocitet për çdo propozim nga LDK

Kosova nuk po del nga ngërçi institucional, ndërsa partitë politike nuk po lënë asnjë “hapësirë” për mundësi bashkëpunimi dhe arritje konsensusi për konstituimin e Kuvendit. Kanë kaluar 4 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por opozita dhe partia fituese LVV, dështuan për herë të 27-të të zgjidhnin drejtuesin e Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se do të votonin një emër tjetër përveç propozimit të LVV për Albulena Haxhiun.
“Ne i kemi ofruar bashkëpunim për të konstituuar Kuvendin me ndonjë prej emrave të tjerë, por me gjasë duke mos i pasur numrat për ta bërë qeverinë atëherë kanë vendosur që si barrikadë ta vendosin një grua që mendojmë se çdo ditë e më shumë po e delegjitimojnë e po e dëmtojnë edhe më shumë reputacionin e saj, sepse mendoj që është sjellje e tyre e papranueshme edhe në raport me votuesit e tyre që të barrikadohen në këtë formë’, tha ai.
Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se i kanë vendosur reciprocitet Lidhjes demokratike të Kosovës dhe nuk do të pranojnë asnjë emër të propozuar nga ata për nënkryetar të Kuvendit.
“Është qëndrim i joni që nuk do të votojmë asnjë emër tjetër nga radhët e PDK-së, përpos Nait Hasanit e Sala Jasharit, ndërkohë që edhe ne i kemi vendosur reciprocitet LDK-së, nuk do ta votojmë e pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre. Pra, nëse po duam të hyjmë në këtë ciklin e dëshirave dhe ta shndërrojmë Kuvendin në vend dëshirash e jo vend numrash siç do të duhej të ishte, atëherë le të vendosim këso lloj kriteresh. Meqë ata po kanë preferenca kë ta zgjedhim ne dhe ta propozojmë ne për kryetar të Kuvendit, edhe ne po i themi preferencat tona”, tha ajo.
Ndërsa deputetja e AAK-së Time Kadrijaj e ka quajtur padrejtësi situatën aktuale në Kuvend.
“Nuk është e drejt kjo që po ndodhë, ky bllokim i seancës që po bëhet nga Kurti e partia e tij, është dashur të sigurojë shumicën e thjeshtë”, tha ajo.
Në seancën e kësaj të enjte (5 qershor) ishin të pranishëm 99 deputetë, ku 50 deputetë votuan pro, ndërsa nuk kishte asnjë kundër. Seanca e radhës do mbahet me 7 qershor nga ora 11:00.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




