Kosova ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë për “Prishtina 2030”

Kosovë | 6 muaj më parë

Me 93 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë i cili mundëson konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Kjo marrëveshje mori mbështetjen edhe nga grupet parlamentare të partive opozitare si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministri i Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, tha se kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si mikpritëse, por përkundrazi e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse.

“Organizimi i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ përfaqëson një arritje strategjike për Republikën e Kosovës, duke e vendosur atë në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare dhe duke dëshmuar kapacitetin institucional për të marrë përsipër përgjegjësi të kësaj natyre. Në këtë kuadër, marrëveshje me Republikën e Shqipërisë paraqet një zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend zhvillimi për sportin e lundrimit është një zgjedhje logjike dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare të organizimit të ngjarjeve multisportive. Kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si nikoqire por përkundrazi e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirës në bashkëpunim me partnerë strategjik”, theksoi Gashani.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bylbyl Sokoli, theksoi se me këtë marrëveshje Kosova vepron si shtet mikpritës i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’.

“Me këtë marrëveshje Kosova vepron si shtet mikpritës i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, ndërsa Shqipëria bëhet partnere në organizimin e sportit të lundrimti në bashkinë e Durrësit”, tha Sokoli.

Arbnore Salihu, deputete e PDK-së, tha se kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme për organizimin e këtyre lojërave.

“Duke e ditur rëndësinë e madhe që ka kjo marrëveshje për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare, ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e mbështesim”, u shpreh Salihu.

Projektligji mori mbështetje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe organizimit të tyre. Natyrisht, si çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare që është në interesin e vendit“, theksoi ai.

Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se po i gëzohet një marrëveshjeje të tillë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Po na vjen mirë që më në fund e kemi një marrëveshje Kosove-Shqipëri duke e ditur që nga kjo qeveri ka munguar në vazhdimësi bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë”, tha Kadrijaj.

Lojërat Mesdhetare do të jenë ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare që është organizuar ndonjëherë në Kosovës./ Kosovapress

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme