Kosovë – Afati i fundit për regjistrimin në zgjedhje, KQZ kërkon listat e kandidatëve

Kosovë | 11 muaj më parë

Mesnata e së dielës është afati i fundit që subjektet politike në Kosovë të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë në KQZ, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Deri më tani, KQZ ka certifikuar 23 subjekte, 17 prej të cilave janë parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Lista Serbe ende nuk certifikuar nga KQZ, pasi partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për KosovaPress se pas dorëzimit të kandidaturave për deputetë, ky institucion do të ndërmarrë veprimet e radhës për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve sipas kritereve ligjore.

“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.

Të dielën KQZ, hodhi edhe shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin për zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të cilit numrat janë nga 111 deri në 134. Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës 130, Lidhja Demokratike e Kosovës 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 129, NISMA Socialdemokrate ka numrin 122. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se ky është një nga momentet kyçe në kuadër të përgatitjeve për procesin elektoral.

“Ky moment u hap rrugën subjekteve politike që pas disa ditësh të fillojnë fushatën zgjedhore sipas afateve të përcaktuara. Ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që angazhimin e tyre ta zhvillojnë në frymë të bashkëpunimit, respektit dhe përkushtimit ndaj rregullave dhe ligjeve zgjedhore”, tha Radoniqi.

Të shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve beri me dije se ka miratuar mbi 71 mijë aplikime për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Sipas këtij institucioni nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor përmes platformës elektronike u pranuan mbi 84 mijë e 700 aplikime, ku rreth 6.700 kërkesa u refuzuan.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme