Kosovë, kuvendi mblidhet të dielën për formimin e qeverisë së re

Kosovë | 1 vit më parë

Kuvendi i Kosovës mblidhet paraditen e së dielës në një seancë të jashtëzakonshme plenare, që ka në rend dite zgjedhjen e qeverisë së re të vendit.

Pritet që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, që në zgjedhjet e 9 shkurtit doli forcë e parë, të paraqesë përbërjen e qeverisë së re, por ende nuk dihet nëse ka siguruar numrin e nevojshëm të votave në parlament.

Ndërsa mediat e Kosovës raportojnë se ende nuk është zhvilluar ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike, që do të mundësonin krijimin e një koalicioni qeverisës, pasi në zgjedhjet e shkurtit, LVV arriti të siguronte vetëm 48 vende në parlamentin me 120 deputetë. Kurti nuk iu përgjigj interesit të gazetarëve nëse ka siguruar votat për qeverinë e re.

Në datën 11 tetor, Kurti u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani për të krijuar ekzekutivin e ri. Nëse ai nuk arrin të marrë 61 votat e nevojshme në Kuvend, i takon presidentes të ndërmarrë hapin e radhës, që është emërimi i një mandatari tjetër për kryeministër.

Sipas vendimit të vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe, në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës. Nëse sërish nuk arrihet krijimi i një qeverie, presidentja shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda një periudhe 40 ditore.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme