Kosovë – Qeveria e re, Çipa: Kurti mund të afrohet me LDK
Analisti Aleksandër Çipa ka deklaruar në emisionin “3D” të moderatorit Alban Dudushi në RTSH1 se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, mund të afrohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për të formuar një qeveri të re, duke e parë balotazhin e 9 nëntorit si një “paradhomë” të mundshme për negociata më të gjera politike.
Çipa theksoi se fokusi kryesor i zhvillimeve politike do të jetë Prishtina, e cila, sipas tij, do të përcaktojë “peshën specifike të forcës kryesore në nivel republike”.
“Tashmë Rama në Prishtinë si kandidat është domosdoshmërisht në përballjen e një aleance fluide me një nga dy forcat. Me PDK-në ka pasur një situatë problematike sidomos gjatë 2 javëve të fundit në Prishtinë. Padyshim që do të drejtohet midis pushtetit dhe LDK-së. Prandaj themi që në gjithë vëmendjen nga sot deri në datën 9 nëntor e merr kryesisht Prishtina, nuk e merr Mitrovica vëmendjen. Prishtina është ajo që do të përcaktojë de fakto edhe peshën specifike të forcës kryesore në nivel republike”, tha Çipa, duke iu referuar kandidatit të LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, i cili sipas do të përballet me Hajrulla Çekun e LVV-së në balotazh.
Çipa e cilësoi balotazhin si një mundësi për “marrëveshje informale që do të bëhen për ndarjen e hises së qeverisjes së komunave që janë në balotazh”.
“Balotazhi a mund të jetë një paradhomë e një marrëdhënie politike për krijimin e shumicës në Parlament. Po, zëra politikë dhe analistë në Prishtinë këtë gjë e shohin. Marrëveshjet informale që do të bëhen për ndarjen e hises së qeverisjes së komunave që janë në balotazh shumica e interpretëve e shohin si një mundësi të negocimit edhe për llogari të qeverisjes qendrore. Kjo do të evidentohet sidomos pas 2 javësh,” deklaroi Çipa.
Ai parashikoi se këto negociata mund të shërbejnë si bazë për formimin e një shumice parlamentare pas zgjedhjeve të ardhshme, duke e quajtur balotazhin “një paradhomë e një marrëdhënie politike për krijimin e shumicës në Parlament”.
Në lidhje me PDK-në, Çipa tha se partia e Memli Krasniqit është në “një qasje tjetër”.
“S’ka alternativë tjetër. PDK-ja është në një qasje tjetër. Mund të mos jetë në mënyrë zyrtare por do të jetë në rrethana informale midis PDK-së dhe Vetëvendosjes,” deklaroi ai.
Megjithatë, ai shprehu skepticizëm për një koalicion të plotë midis LVV-së dhe PDK-së.
“Unë kam qenë i mendimit që dhe e shihja të projektuar mundësinë e një qeverisje midis Vetëvendosjes dhe PDK-së para tre muajsh, sot e shoh të pamundur këtë gjë,” përfundoi Çipa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




