Kosovë – Vijon numërimi për kuvendet komunale, KQZ: Me mbylljen e tij, nis procesi për votat nga jashtë

Kosovë | 1 vit më parë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, njoftoi se pas përfundimit të numërimit të votave për kryetarë komunash, po vijon procesi për anëtarët e kuvendeve komunale.

Ai bëri me dije se në 38 Qendra Komunale të Numërimit, KQZ-ja ka angazhuar më shumë se 520 ekipe me mbi dy mijë anëtarë.

“Numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta dhe i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të përfundojë procesi në Qendra Komunale të Numërimit. Sipas të dhënave paraprake në 54 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, kemi 2.119 zarfe me fletëvotime”, tha Elezi.

Lidhur me votimin jashtë Kosovës, zyrtari i KQZ-së bëri me dije se deri tani kanë tërhequr 32.258 zarfe me fletëvotime.

“Nga votimi jashtë Kosovës, nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare, nga gjithsej 23, numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33.258. Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 3.467”, theksoi ai.

Sipas rezultateve paraprake nga numërimi i votave për anëtarët e kuvendeve komunale në nivel vendi, kryeson Partia Demokratike e Kosovës, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje është në vend të tretë dhe pas saj renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme