KQZ përcakton minutazhin e fushatës dhe renditjen në fletën e votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 Nëntorit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) përcaktoi kohën e transmetimit në mediat publike për fushatën zgjedhore të subjekteve të regjistruara për zgjedhjet e pjesshme të datës 9 nëntor 2025, si dhe miratoi renditjen e kandidatëve në fletën e votimit.
Në një seancë të fokusuar në transparencën dhe barazinë e kushteve, KQZ vendosi minutazhin për fushatën elektorale në Televizionin Publik. Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) do të ketë në dispozicion 50 minuta në Televizionin Publik dhe 30 minuta në Radion Publike.
Ndërkohë, Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ do të ketë 25 minuta në TV dhe 15 minuta në Radio. Për secilin kandidat për kryetar bashkie të propozuar nga vetë zgjedhësit, është caktuar 5 minuta si në TV ashtu edhe në Radio.
Renditja e kandidatëve dhe verifikimet
KQZ miratoi gjithashtu renditjen e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për pesë bashkitë në fjalë, mes të cilave Vlora, Cërriku, Mati, Tepelena dhe Berati.
Në Berat, do të garojnë Ervin Ceca (PS) dhe Pavlo Shkarpa (i propozuar nga zgjedhësit). Për Vlorën, pranë Brunilda Mersinit (PS), është Dionis Sota (i propozuar nga zgjedhësit). Të gjithë kandidatët e tjerë për Cërrikun, Matin dhe Tepelenën, të propozuar nga subjektet ose zgjedhësit, iu verifikuan kushtet e kandidimit dhe, pasi nuk rezultuan me probleme sipas të dhënave të vetëdeklarimit dhe DPB-së, u vendos që KZAZ-të të vazhdojnë procedurat e regjistrimit.





Apeli për transparencë
Kryetari i KQZ-së, Celibashi, theksoi se procesi po zhvillohet me “transparencë të plotë” për të garantuar standarde të larta profesionalizmi.
Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një proces “të qetë dhe gjithëpërfshirës”.
Në fund, u hodh shorti për përcaktimin e renditjes finale në fletën e votimit dhe u caktuan të drejtat e propozimit të anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave (GNV) për PS, PD dhe Partinë e Lirisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




