Kremlini konfirmon vizitën e shefit të CIA-s në Rusi/Moska: Putin nuk u takua me John Ratcliffe

“Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, vizitoi Moskën për kontakte mes shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe ruse, por nuk u takua me presidentin Vladimir Putin.” Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS pa dhënë detaje të mëtejshme, ndërsa shtoi se nuk ishin planifikuar bisedime me presidentin rus.
Kjo është vizita e parë zyrtare e John Ratcliffe në Rusi, që kur ai mori detyrën vitin e kaluar. Shefi i CIA-s udhëtoi drejt Moskës në një vizitë të paparalajmëruar, me një avion ushtarak amerikan nga Letonia, i cili u ul të martën në aeroportin “Vnukovo” dhe u largua nga kryeqyteti rus po atë mbrëmje.
Drejtori i CIA-s ka mbajtur kontakte me homologun e tij rus, Sergey Naryshkin, kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, i cili edhe më parë ka sinjalizuar gatishmërinë për t’u takuar me Ratcliffe. Washingtoni i kërkoi Kievit të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj Moskës dhe Shën Petersburgut gjatë vizitës së drejtorit të CIA-s në Rusi, një kërkesë e konfirmuar nga zyrtarët ukrainas për shumë media vendase.
Këto të fundit raportuan se vizita e Ratcliffe mund të ketë përfshirë diskutime mbi një moratorium të mundshëm ruso-ukrainas për sulmet kundër infrastrukturës energjetike dhe porteve, si dhe një armëpushim të mundshëm në rajonet Sumy dhe Kharkiv, si hapa drejt një shtensionimi më të gjerë të situatës.
John Ratcliffe shkoi në Rusi në një kohë që bisedimet e paqes mes Moskës dhe Kievit kanë ngecur pasi Washingtoni është i fokusuar tek lufta me Iranin. Pavarësisht vizitave të përsëritura në Rusi të të dërguarve të presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dy vendet mbeten larg në qëndrime për shkak të çështjeve territoriale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




