Sezoni veror, Dashnor Sula njofton platformën dhe linjën e gjelbër për denoncimin e abuzimeve

Kreu i Inspektoriatit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, njoftoi se më 11 qershor do të vihet në funksion platforma sigurt.gov.al dhe një linjë e gjelbër, ku qytetarët do të kenë mundësi të denoncojnë çdo abuzim nga bizneset apo përfaqësues të institucioneve.
Sipas tij, kjo nismë synon rritjen e standardeve dhe mbrojtjen e pushuesve e turistëve gjatë sezonit veror.
Sula bëri të ditur se përgjatë gjithë vijës bregdetare do të ngrihet një task forcë e posaçme, me fokus kryesor tek siguria ushqimore, por edhe tek siguria teknike, parandalimi i ndërtimeve pa leje dhe abuzimeve të tjera në zonat turistike.
““Me datë 11 qershor, do të hapet një platformë informuese, sinjalizuese, sigurt.gov.al dhe Linja e Gjelbër, që çdo qytetar, kur shikon, kur vëren abuzim, shkelje të ligjit, nga subjektet të cilat janë të papërgjegjshme dhe janë përfitues, abuzues ndaj turistëve apo çdo pushuesi të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ai.
Gjatë takimit me inspektoriatet rajonale të Durrësit, si IKMT, AKU, Inspektoriati Teknik e Industrial dhe agjenci të tjera, kryeinspektori kërkoi profesionalizëm dhe korrektësi në ushtrimin e kontrolleve, duke paralajmëruar se nuk do të tolerohet asnjë rast abuzimi nga trupat inspektuese. Ai kujtoi rastin e largimit të 10 inspektorëve të AKU-së pas lejimit të hyrjes së misrit me aflatoksinë nga Hani i Hotit, duke theksuar se masat ndaj shkelësve do të vijojnë dhe se toleranca ndaj abuzimeve do të jetë zero.
“Nuk jam përfolur kurrë për një aferë. S’mund t’i bësh të gjitha, edhe politikan, edhe inspektor, edhe kryeinspektor, edhe gangster, edhe hajdut edhe imoral. Jo! O përmbush detyrën, ose shko në privat bëj punën tate”, tha Sula, duke dhënë një mesazh të fortë për integritetin e trupave inspektuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




