Mashtronin qytetarët në emër të Postës Shqiptare, në pranga dy shtetas kinezë

Aktualitet | 1 vit më parë

Dy shtetas të huaj, janë arrestuar nga Policia e Shtetit, pas njoftimeve të qytetarëve për mesazhe mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare me qëllim përfitimi i të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve.

Në pranga ranë C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç, të dy shtetas kinezë.

Sipas njoftimit të policisë, këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.

Gjatë kontrollit të ambienteve ku qëndronin, u sekuestruan: 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme. Hetimet treguan se ata kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare për të mashtruar qytetarët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale: “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, ndërsa vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Policia e Shtetit apelon qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe u bën thirrje atyre që i janë përgjigjur mesazheve mashtruese të paraqiten menjëherë për ndihmë.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Posta e Rreme”.

Goditet një grup i huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare. Vihen në pranga dy shtetas kinezë.

Sekuestrohen 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas njoftimeve të marra nga qytetarë për dërgimin e SMS-ve mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Posta e Rreme”, me objektiv identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe teknike, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç.

Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia e Shtetit rikujton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe apelon:

📍 Mos klikoni në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;
📍 Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;
📍 Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni çdo veprim online;
📍 Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Thirrje për qytetarët:
Nëse ndonjë qytetar i është përgjigjur mesazheve mashtruese dhe ka vendosur të dhënat e tij personale apo bankare në faqet e falsifikuara, i bëjmë thirrje të paraqitet sa më shpejt në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ose të kontaktojë menjëherë për të raportuar rastin dhe për të marrë ndihmën e nevojshme.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të mbrojtur qytetarët nga veprimtaritë e paligjshme në hapësirën digjitale dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi sigurinë kibernetike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme