Krim pasioni në Itali, 30-vjeçari shqiptari qëllohet për vdekje nga bashkatdhetari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën e Olmos, në periferi të Arezzo, ku një 30-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Viktima, Gj.P., banues në Frassineto, u ekzekutua rreth orës 23:40 pranë restorantit Chez Vous. Sipas hetimeve paraprake, ai është qëlluar me të paktën katër plumba ndërsa ndodhej në një kalim për këmbësorë mes një bari dhe restorantit.
Një nga plumbat e goditi në qafë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Alarmin e dha pronari i lokalit, i cili pasi dëgjoi të shtënat doli jashtë dhe gjeti trupin e pajetë të të riut. Dyshohet se pronari i lokalit ka parë edhe autorin të largohej me një automjet tip Audi me ngjyrë të errët.
Forcat e rendit nisën menjëherë kërkimet, duke bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar rreth orës 02:00 të mëngjesit.
I dyshuari, shtetas shqiptar 35-vjeçar, u ndalua pa bërë rezistencë dhe ndodhet në paraburgim, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Trupi i viktimës u transportua në morgun e spitalit San Donato Hospital, ndërsa hetimet vijojnë nga policia dhe karabinierët, nën drejtimin e prokurores Emanuela Greco.
Sipas të dhënave paraprake, krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie. Viktima, pas përfundimit të punës, ishte ndalur për të biseduar me ish-partneren e tij, një shtetase rumune. Në atë moment, partneri aktual i saj ka mbërritur në vendngjarje dhe, pasi i ka parë bashkë, ka qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, e cila gjithnjë e më shumë po merr formën e një vrasjeje për motive pasioni.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




