Krimi në Ksamil, publikohet fotoja e turistit portugez që humbi jetën, dinamika e plotë e vrasjes së Luis Miguel Varela Mendes

Aktualitet | 2 muaj më parë

Është publikuar së fundmi fotografia e Luis Miguel Varela Mendes, turistit 20-vjeçar portugez, i cili humbi jetën tragjikisht në orët e para të 18 gushtit 2026 pas një konflikti në Ksamil. Imazhi i viktimës është siguruar nga gazetarja e RTSH 24. Ngjarja e rëndë vuri në lëvizje strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat përmes një operacioni të gjerë arritën të zbardhin plotësisht dinamikën e krimit.

Pas shoqërimit të 41 personave, bilanci i hetimeve është fokusuar me arrestimin e 11 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve.

Arrestimi i autorit dhe arratisja e dështuar

Autori i dyshuar i vrasjes, 29-vjeçari Sokrat Vata (i identifikuar në dosje edhe me inicialet S. L. / S. V.), me origjinë nga Hasi, u vu në pranga pak orë pas krimit. Arrestimi i tij u bë i mundur falë koordinimit mes Drejtorive Vendore të Policisë së Sarandës, Vlorës dhe Fierit.

Vata u kap në zonën e Levanit gjatë një tentative për t’u larguar nga vendimi i krimit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, “shtetasi u kap në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga dy shtetas turq”.

Dy shtetasit e huaj, E. P. (31 vjeçe) dhe N. M. (38 vjeç), u arrestuan në flagrancë për “Përkrahje të autorit të krimit”.

Dinamika e përplasjes

Dosja hetimore tregon se sherri nisi rreth orës 05:15 brenda ambienteve të lokalit “Principote” dhe u përshkallëzua deri në përdorimin e armës së ftohtë në plazhin e lokalit fqinj, “Paradise”. Përpara se të merrte goditjen fatale nga 29-vjeçari Vata, turisti portugez ka pësuar dhunë fizike nga një person tjetër (D. H., tashmë në kërkim) si dhe nga katër kamarierë të lokalit.

Një nga detajet që bie në sy të hetimit është zbulimi i përbërjes së stafit të sigurisë fizike të lokalit. Prokuroria ka evidentuar një mosveprim total nga personeli i sigurisë, të cilët rezultuan të ishin punonjës të shtetit që punonin jashtë detyrës zyrtare. Në referimin e akuzës theksohet qartë se “në rolin e bodyguard-ëve kanë qenë persona me detyra shtetërore, konkretisht një punonjës policie i Gjirokastrës, një punonjës i burgut të Fierit dhe një i Policisë Bashkiake Gjirokastër”. Akuzat rëndohen më tej pasi këta zyrtarë “jo vetëm që nuk ndërhynë për parandalimin e ngjarjes, por pas saj nuk njoftuan as autoritetet e Policisë së Shtetit”.

Akuzat dhe procesi i mëtejshëm

Krahas të arrestuarve, policia ka shpallur në kërkim 29-vjeçarin D. H. (bashkëpunëtor në krim) si dhe pronarin e lokalit “Principote”, B. B. (36 vjeç), i cili rezulton të jetë larguar duke mos e raportuar ngjarjen.

Të akuzuarit përballen me vepra të ndryshme penale: autori kryesor dhe bashkëpunëtori për “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”; stafi i lokalit dhe pronari për “Moskallëzim të krimit”; ndërsa për punonjësin e policisë shtohet vepra e “Mosmarrjes së masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”. E gjithë dosja hetimore i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme