“Kriminel, të të vijë turp”, Mediu përballet në gjyq me familjarët e viktimave të Gërdecit: Duan të më bëjnë kokë turku

Aktualitet | 2 vite më parë

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili po gjykohet në GJKKO për tragjedinë e Gërdecit është përballur në gjyq me familjarët që humbën të afëmit e tyre nga ngjarja e rëndë e vitit 2008.

Ata e kanë cilësuar Mediun si “kriminel” ndërsa i janë drejtuar me fjalët se duhet “t’i vijë turp”. Nga ana e tij, Mediu e ka cilësuar gjyqin si proces politik

“Para Gërdecit janë vrarë mbi 100 njerëz në Qafë Shtamë, Gjegjan, Gjirokastër, Dhëmblan. U mbytën 19 persona në det. Janë vrarë 2 muaj pas Gërdecit në Uzinën Ushtarake të Poliçanit, janë vrarë në Skrapar në 2011. Pse nuk u ngarkuan ministrat me përgjegjësi, se si ishte magazinuar, ruajtur dhe demontuar municioni. Apo në rastin e Gërdecit duhet një kokë turku?”, është shprehur Mediu në sallën e gjyqit.

Por sipas familjarëve “faji është i prokurorëve që nuk ngrenë akuzë për vrasje”

“Faji është i prokurorëve që nuk ngrenë akuzë për vrasje. Nuk të dëgjojmë dot, është absurde, je kriminel, turp të të vijë”, kanë shpërthyer familjarët e viktimave në drejtim të ish-ministrit Mediu.

Ky i fundit është përgjigjur se me këto “përplasje, ky nuk është proces gjyqësor, por proces politik”

“Unë kam ardhur në respekt të Gjykatës dhe drejtësisë për një proces të drejtë ligjor dhe jo për gjyqet politike famëkeqe të kohës së shkuar, ku vendos “partia” dhe jo ligji. Prandaj, ju kërkoj e nderuar Gjyqtare, duke falënderuar gazetarët, që ky gjyq të bëhet live, në prani të kamerave të televizioneve.

Kjo kërkesë e fundit e imja është për të provuar pakundërshtueshmërinë e transparencës, që unë dëshiroj të përcjell në këtë proces politik joligjor, por edhe rruga e vetme për të shmangur subjektivizmin e qëllimshëm dhe mos respektimin e ligjit”, ka theksuar Mediu.

Pas përfundimit të seancës, Mediu foli edhe për mediat duke thënë se ai po persekutohet si në aspektin personal ashtu edhe në atë familjar. 

“Sot u pa qartë që prej 16 vitesh vazhdon persekutim personal dhe familjar. Sipas akuzës unë duhet të dija kush ishin rojet, punëtorët, sa ishin distancat….ata që e kanë mbështetur këtë qëndirm, sot janë në pushtet dhe sot nuk njohin bashkëpunëtorët dhe s’njohin firmat që kanë hedhur. Unë u dorëhoqa si akt moral por s’mund të përdoret për manipulim politik për të pasur një kokë turku. Është provuar se ministri s’ka lidhje me shpërthimindhe pasojat e shpërthimit në Gërdec“, tha Mediu. 

Ndërkaq, Gjykata është tërhequr në dhomë këshillimi për të shqyrtuar kërkesën e avokatëve të Mediut se vendimi final i ekspertizës ekonomiko-financiare nuk i është vëne në dispozicion të pandehurit ose mbrojtjes dhe se ekspertët janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme si dhe ekspertiza është e papajtueshme me ligjin. Ndërkohë sipas akt ekspertizës dëmi i prodhuar nga tragjedia e Gërdecit shkon në 16 milionë euro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme